Maqedoni

Zaev: nuk kam marrë asnjë letër nga BE

03.05.2016 16:19

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ish drejtori i Sigurimit shtetëror, Zoran Verushevski, dhe bashkëshortja e tij, Sonja...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, ish drejtori i Sigurimit shtetëror, Zoran Verushevski, dhe bashkëshortja e tij, Sonja, të gjithë të akuzuar në rastin “Puç” edhe përkundër vendimit për falje të presidentit, Gjorge Ivanov, u paraqitën para Gjykatës Penale për të marrë pjesë në seancën gjyqësore.
 
Nga Gjykata Penale i kanë njoftuar se pas faljes së Ivanovit është sjellë vendim me të cilin ndërpriten të gjitha procedurat kundër të pandehurve.
 
Zaev tha se do të vazhdojë me kërkimin e drejtësisë dhe për gjykim të drejtë do të thirret në nenin gjashtë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 
 
“Ne si opozitë paraqitëm ankesë në lidhje me këto procedura, që janë rezultat i abolimit apo faljes së paligjshme dhe antikushtetuese të Gjorge Ivanovit, e cila vetë paraqet precedent, që të falen dëshmitarë, të falen shtetas të huaj dhe shumë marrëzira tjera në vet aktin. Të drejtën e vazhdojmë përmes Gjykatës së Apelit e deri në Strasburg, duke shfrytëzuar aktin gjashtë nga Konventa evropiane.”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
I pyetur nëse ka pranuar letër nga komisioneri Han për të rinisur negociatat, Zaev mohon të ketë pranuar një letër të tillë.
 
Por, ai sqaron se ka pranuar një letër nga ambasadori Orav në emër të komisionerit Han, për të cilën lideri i LSDM-së tha se nuk mund të komentojë më shumë mbi këtë çështje dhe shpreson se euroambasadori Orav mund të përgjigjet në këto pyetje.
 
“Unë nuk kam marrë asnjë letër të tillë. Ajo që unë di është ripërsëritja e  vazhdueshme e qëndrimeve të tyre, gjegjësisht kushtet për zgjedhje, shfuqizimi i vendimit për falje dhe sigurisht mbajtja e zgjedhjeve atëherë kur të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”-  tha Zaev.
 
Ndërsa për të diskutuar për situatën aktuale politike në vend, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, në zyrat e delegacionit të BE-së në Shkup realizoi takim të përbashkët me ambasadorët, Bejli dhe Orav. 
 
SANIJE DURAKU