Botë

Tiranë, nëntë imamët e akuzuar pretendojnë pafajësinë

03.05.2016 16:26

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, procesi gjyqësor në ngarkim të nëntë imamëve që akuzohen se rekrutonin luftëtarë për në Siri, zhvillohen nën masa të rrepta sigurie...

Por, teksa ky proces është drejt fundit, të akuzuarit kërkojnë që të mos mbrohen nga avokatët. Një prej imamëve të vetëshpallur, Astrit Tola, i ka kërkuar avokates në seancën e sotme që të mos vijonte më me mbrojtjen ndaj tij, pasi feja nuk ia lejon.
 
Të akuzuarit pretendojnë se nuk kanë kryer asnjë vepër terroriste, ndaj kanë kërkuar lirimin e tyre nga gjykata. Gjatë seancës së kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në total 152 vjet burg për nëntë të pandehurit.
 
Gjatë ditës së sotme ata kanë kërkuar pafajësi, ndërsa pritet që gjatë javës së ardhshme gjykata të vendosë dënimin për të pandehurit.
 
Në kohën kur zhvillohej seanca, familjarët e të akuzuarve kanë dalë në ambientet përballë gjykatës, duke kryer ritin e faljes.
 
LULJETA NDOKA