Maqedoni
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, ShGM: situata kritike, beteja vazhdon
03.05.2016 16:32
Situata në media është kritike, pasi që ato janë shndërruar në makineri propagande të pushtetit, ndërkaq gazetarët keqtrajtohen dhe burgosen për t’i heshtur nga e vërteta...

Me konstatimet e tilla dolën nga ShGM në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Të mbledhur para burgut të Shuto Orizares, ata kërkuan lirimin e gazetari, Zoran Bozhinovski, i privuar nga liria nga 27 prilli nën akuzën spiunim dhe shantazh.
Kryetari, Naser Selmani, porositi pushtetin se nuk do të heqin dorë nga beteja për lirinë e fjalës.
“Ata që Maqedoninë e shëndrruan në laborator të përgjimit masiv nuk mund të akuzojnë të tjerët për spiunim. Të amnistuarit për krime të rënda nuk mund t’a drejtojnë gishtin kundër të tjerëve për ndërmarrje kriminale. Me çfarë fytyre ky pushtet mund të akuzojë një gazetar për shantazh, kur i vetmi mjet qeverisës është shantazhi dhe presionet. Fuqishëm solidarizohemi me kolegun Bozhinovski dhe duam t’a sigurojmë se do të qëndrojmë përkrah tij derisa nuk lirohet nga burgu.”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Selmani akuzoi pushtetin se po refuzon reforma në media. Kërkuan që servisi publik të jetë në shërbim të qytetarëve, si dhe Agjencia e Mediave të mos ndikohet nga politika. Maqedonia në raportin e fundit të “Fridom Hause” cilësohet si vend jo i lirisë sa i përket lirisë së mediave.
Ndërkaq në raportin e organizatës “Reporterët pa kufij” për vitin 2016 thuhet se dy vitet e fundit në Maqedoni janë ngritur 580 padi për shpifje, dhjetëra prej tyre janë kundër gazetarëve.
Maqedonia në këtë listë renditet e 118-ta, duke zbritur 83 vende për nëntë vite.
MERAL ISMAILI
