Maqedoni

Petir: jepni fund krizës, zgjedhje më 5 qershor

03.05.2016 16:37

Diplomatët amerikanë dëshirojnë t’a ndihmojnë Maqedoninë për të dalë nga kriza politike...

Kështu ka deklaruar në Shtip ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a po përgatitet për takim të liderëve. Baily ka shtuar se po qëndron në kontakt me të gjitha partitë politike.
 
“Mbesim në kontakt me të gjithë liderët e partitë politike. Unë këtu jam sot për të biseduar me lloj tjetër liderësh të bashkëpunimit mes universiteteve, por megjithatë do ta them se mbetemi në kontakt, do të mundohemi t’i ndihmojmë Maqedonisë që të dalë nga kjo krizë politike dhe do t’ju informojmë për hapat e mëtutjeshëm.”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
Ndërkaq, edhe nga Parlamenti Evropian presin që vendi t’i japë fund krizës politike dhe t’i organizojë zgjedhjet më 5 qershor. 
 
“Të gjithë duhet t’i respektojnë standardet evropiane, ndërsa standardet evropiane për të ardhur në pushtet janë zgjedhjet. Për këtë presim që zgjedhjet në Maqedoni të mbahen ashtu siç është paraparë, në muajin qershor, dhe pastaj ata që do të fitojnë shumicën, të kenë edhe legjitimitet demokratik, të krijojnë qeveri dhe të instalojnë reformat që kërkohen nga BE.”- tha eurodeputetja, Marijana Petir.
 
Maqedonia tashmë i ka plotësuar kushtet për fillimin e bisedimeve, por secila krizë politike brenda vendit e prolongon edhe më tepër integrimin e vendit në BE, deklaron eurodeputetja Petir.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU