Maqedoni
OJQ “Civil”: Maqedonia është e zhytur në terr mediatik
03.05.2016 17:37
OJQ “Civil” thotë se në Maqedoni nuk ka media të lira, gazetarët burgosen, vriten dhe përgjohen dhe vendi është i zhytur në terr mediatik...

Të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare dhe vendore dhe organizatat me vite flasin për rënien dramatike të lirisë së medias dhe flasin për Maqedoninë se është vend jo i lirë.
“Marrëveshja për tejkalimin e krizës politike, e nënshkruar në Përzhinë, vendosi lart në rend dite liritë e medias. Por, pushteti fuqishëm ruajti pozicionet e tij për të ruajtur kështu kontrollin mbi mediat. Reformat në media janë bllokuar plotësisht, ndërsa propozimi i ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Peter Vanhaute, për hapa të menjëhershëm për të liruar mediat nga shtrëngimi i partive në pushtet u refuzua kategorikisht. Vetë ndërmjetësi pësoi një breshëri sulmesh në publik, mu prej mediave të kontrolluara nga pushteti”- thuhet nga OJQ “Civil”.
“Civil” ka bërë rekomandime të shumta dhe apele gjatë viteve të fundit. Asnjë rekomandim, asnjë apel nuk kishte një përfundim pozitiv.
Prandaj, ‘“Civil’ e thërret opinionin demokratik dhe qytetaret e qytetarët liridashës të Republikës së Maqedonisë, me të gjitha mjetet e lejuara me Kushtetutë dhe ligje, të mbrojnë të drejtën e tyre për të qenë të informuar në mënyrë objektive dhe profesionale”.
“Civil” i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të kërkojë prej autoriteteve të vendit që menjëherë të ndalojnë propagandën dhe kontrollin mbi mediat, si dhe të marrë masa të menjëhershme dhe të rrepta për sanksionimin e pushtetit.
GAZMEND REXHEPI
