Botë
Zjarr në Kanada, evakuohen 80 mijë banorë në Fort McMurray
04.05.2016 10:06
Një zjarr i përmasave të mëdha, i përshkruar nga mediat si një “mur gjigant zjarri”, detyroi autoritetet kanadeze të evakuojnë rreth 80 000 njerëz nga Fort McMurray...

Një zjarr i përmasave të mëdha, i përshkruar nga mediat si një “mur gjigant zjarri”, detyroi autoritetet kanadeze të evakuojnë rreth 80 000 njerëz nga Fort McMurray, ose më saktë pothuajse të gjithë popullsinë e këtij qyteti kanadez.
Flakët shpërthyen fillimisht në pyllin pranë qytetit, më pas u drejtuan nga shtëpitë duke shkatërruar dhjetëra prej tyre. Rrugët e këtij qyteti në provincën e Albertës u mbuluan tërësisht nga hiri. Evakuimi shkaktoi probleme të shumta në rrugë si dhe bllokime në trafik, megjithatë, deri tani, fatmirësisht nuk ka raporte për viktima.
"Ne jemi të fokusuar tani kryesisht në sigurimin e personave të cilët janë shpëtuar, t’i nxjerrim ata jashtë qytetit dhe të sigurohemi se ata janë jashtë rrezikut dhe të sigurt. Puna në teren është duke vazhduar në kushte të sigurta, me qëllim që të bëjmë çdo gjë për të ndalur zjarrin.”- kryeministri i Albertës, Rachel Notley.
“Zjarri kaloi përtej lumit, kishim vetëm dy minuta kohë të arrinim në shtëpi, të rrëmbenim ndonjë gjë e të largoheshim. Jam i tmerruar, por edhe i nervozuar, sepse nuk kam më një shtëpi në të cilën mund të kthehem. Por kam familjen dhe qenin tim. Nuk e prisnim këtë, mendonim se zjarri ishte larg qytetit dhe nuk kisha kohë të marr më shumë gjëra. Jam i shokuar, pasi na kapi në befasi.”- tha një banor.
Qindra zjarrfikës u angazhuan në betejën kundër flakëve. Autoritetet druhen që flakët mund të shkrumbojnë të gjithë qytetin, ose të paktën një pjesë të madhe të tij. Evakuimi i qytetit Fort McMurray është më i madhi në historinë e Albertës dhe mbase të Kanadasë për shkak të një zjarri.
Sipas meteorologëve, erërat e forta dhe thatësira e kohëve të fundit në zonë kanë bërë që flakët të gjejnë terren shumë të përshtatshëm për t’u përhapur me shpejtësi të madhe.
LEUNORA KALIQI
