Berlini, nikoqir i krizës për Sirinë
Berlini sot do të jetë nikoqir i bisedimeve për Sirinë, në të cilat do të marrë pjesë edhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Stefan de Mistura, dhe lideri i opozitës siriane, Riad Hixhab...

“Bisedimet do të fokusohen në çështjen se si të përmbushen kushtet për vazhdimin e negociatave paqësore në Gjenevë, si dhe të pakësimit të dhunës dhe përmirësimit të gjendjes humanitare."- deklaroi ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Valter Shtajnmajer.
Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Keri, paraprakisht në Gjenevë bisedoi me Stefan de Misturën, i cili të hënën në Moskë para se të largohet për në Berlin bisedoi me shefin e Diplomacisë ruse, Sergej Llavrov.
Në takimin në Berlin do të marrë pjesë edhe ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan Mark Ero. Armëpushimi në Siri hyri në fuqi para dy muajve me ndërmjetësim të Moskës dhe Uashingtonit, por përreth Alepos, qytetit të dytë për nga madhësia në Siri, sërish po zhvillohen luftime të ashpra, të cilat rrezikojnë negociatat.
