Maqedoni

5 maji - Dita e Dëshmorëve, nderohen dëshmorët e kombit të rënë në 2001-in

04.05.2016 13:01

Nesër është 5 maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit, dita kur në të gjitha trojet shqiptare kujtohet sakrifica e bijve dhe bijave më të mirë të kombit shqiptar...

Nesër  është 5 maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit, dita kur në të gjitha trojet shqiptare kujtohet sakrifica e bijve dhe bijave më të mirë të kombit shqiptar, që nuk kursyen jetën e tyre për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Në organizim të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në të gjitha qytetet shqiptare të Maqedonisë nesër do të bëhen homazhe sipas një orari të paracaktuar nga përfaqësuesit e brigadave.

Përfaqësues të Brigadës 111 “Beqir Limani” do të bëjnë homazhe në Strugë, Kërçovë dhe Gostivar.

Përfaqësuesit e Brigadës 112 “Mujdin Aliu” do të bëjë homazhe në fshatrat e Pollogut të Tetovës, përfaqësues të Brigadës 114 “Fadil Nimani” do të bëjnë homazhe në fshatrat e rajonit të Karadakut dhe në varrezat e dëshmorëve në Haraçinë, përfaqësues të Brigadës 115 “Qemal Shaqiri” do të bëjnë homazhe në fshatrat në Malësinë e Sharrit dhe përfaqësues të Brigadës 116 “Tahir Sinani” do të bëjnë homazhe në vendprehjet e dëshmorëve në rajonin e Gostivarit.

Homazhet e të gjithë përfaqësuesve të brigadave të UÇK-së do të fillojnë që në orën 10 të mëngjesit, sipas organizimeve të paracaktuara në agjendën paraprake, ndërkohë që grumbullimi i tyre i përbashkët do të jetë, si gjithnjë, në kompleksin pranë teqes së Tetovës në orën 17, për të bërë kështu bashkimin simbolik të brigadave të UÇK-së.