Botë

KE miraton propozimin, liberalizohen vizat për shtetasit e Kosovës

04.05.2016 14:36

Komisionari evropian, Dimitris Avramapolous, e dha lajmin e shumëpritur për shtetasit e Kosovës: Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën...

“Ne e propozojmë liberalizimin e vizave për Kosovën, mirëpo kujtojmë se demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit duhet të bëhet para se propozimi të ratifikohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës. Propozimi vjen pas punës së madhe të autoriteteve të Kosovës në drejtësi dhe çështje të tjera. Ne e dimë sa i rëndësishëm është për qytetarët e Kosovës ky lajm, andaj presim që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës të aprovojnë sa më shpejt këtë propozim. Mirëpo në Evropë do të mund të qarkullohet vetëm me pasaportë biometrike.”- deklaroi komisionari i KE-së, Dimitris Avramapolous.
 
Vendimi u përshëndet nga ministri i Integrimeve Evropiane të Kosovës, Bekim Çollaku.
 
“Më në fund ia arritëm të përmbushim edhe një qëllim tjetër për Kosovën. Kjo është një tjetër ditë historike në procesin e integrimit evropian. Nga sot po fillon të hapet horizonti evropian para kosovarëve. Ky vendim është rezultat dhe konfirmim i përmbushjes së suksesshme të kritereve të udhërrëfyesit, rezultat i punës së përbashkët të qeverisë, kuvendit dhe institucioneve të pavarura. Mbetemi të përkushtuar që ta çojmë këtë proces deri në fund, sa më shpejt.”- ka theksuar mes tjerash Çollaku. 
 
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar për liberalizimit, tha se “kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal”. “Pas dekadave të izolimit nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime.”- ka theksuar Thaçi. 
 
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se “Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane”. 
 
Vendimi është përshëndetur edhe nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, dhe liderët e partive politike në Kosovë. 
 
Ka uruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka thënë se: “Fill pas UEFA-s, tjetër lajm i gëzueshëm për Kosovën, rekomandimi i Komisionit për heqjen e vizave. Më në fund BE-ja po çlirohet nga një turp!”- shkruan Rama në rrjetet sociale.
 
Por, që të lëvizin pa viza shtetasit e Kosovës do të duhet të presin edhe rreth 3 muaj, kur pritet propozimi të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli i Evropës. Qytetarët e Kosovës deri tani ishin të vetmit në rajon të cilëve u duhej të pajiseshin me viza për të udhëtuar në vendet e zonës Shengen të BE-së.
 
GYLTENE SINANI