Ballkani Perëndimor, Zyrë rajonale për bashkëpunim rinor

04.05.2016 16:02

Zyra rajonale për bashkëpunim rinor gëzon edhe mbështetjen e Institutit francez në Shkup....

Në Shkup u promovuan projektet dhe aktivitet e Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor para formalizimit të saj më 5 qershor në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbahet në Paris.

Zyra rajonale për bashkëpunim rinor gëzon edhe mbështetjen e Institutit francez në Shkup.                 

“Hapja e një Zyre rajonale për bashkëpunim rinor është një shenjë e mirë dhe një shpresë për të rinjtë në Maqedoni. Ndërsa prej më 1 janar 2017 do të  fillojë me aktivitete Zyra rajonale për bashkëpunim për të rinj, e cila do të jetë një mundësi e mirë për të  gjithë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.”- deklaroi drejtoresha e Institutit francez në Shkup, Isabel Marki.

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, tha se krijimi i Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal nga Ballkani Perëndimor përmes identifikimit të interesave të përbashkëta të cilat do të inkurajojnë solidaritetin, mirëkuptimin, miqësinë, si dhe promovimin e të njëjtave përmes parimeve, diversitetit dhe bashkëpunimit.

“Programi dhe aktivitetet e Zyrës do të forcojnë procesin e barazive të të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe do t’i luftojnë stereotipat, racizmin, ksenofobinë, gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin në baza etnike dhe fetare. Misioni i këtyre aktiviteteve është që të forcojnë më shumë rolin e të rinjve në vendimmarrje, që ta bëjnë zërin më të dëgjueshëm në politikat rinore dhe jo vetëm.”- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Zyra rajonale për bashkëpunim rinor e Ballkanit Perëndimor do të hapet në Tiranë, por gjithashtu do të ketë përfaqësi të zyrave në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Ndërsa në Maqedoni të gjitha aktivitetet e Zyrës do të organizohen nga Agjencia për të rinj dhe sport, si dhe nga Zyra për të rinj në Francë dhe Gjermani. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)