Han: Organizoni zgjedhje të pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare

04.05.2016 16:13

Edhe përkundër pozicioneve diametralisht të kundërta ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së rreth krizës politike në vend, eurokomisari, Johanes Han, ende vlerëson se Marrëveshja e Përzhinës ka ardhmëri...

Por, ai në një prononcim për Radion Evropa e Lire thekson se më me rëndësi është mbajtja e zgjedhjeve të pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare.

“Beteja finale është të ketë zgjedhje. Por, unë mendoj se ajo që është më me rëndësi është të mbahen zgjedhje të pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo do të thotë se patjetër duhet të ketë listë të pastruar zgjedhore, zgjedhjet duhet të jenë pa frikësim të kandidatëve, partive apo personave. Kjo është ajo që ka rëndësi për momentin.”- deklaroi komisioneri për zgjerim i KE-së, Johanes Han.

Ndërkohë, ambasadorja gjermane në vend, Christine Althauser, thotë se faktori ndërkombëtar është i kyçur në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, por vendimi përfundimtar mbetet në duart e politikanëve vendorë. Ajo, madje, indirekt bën të ditur se partitë politike në vend po zhvillojnë bisedime rreth krizës larg syve të opinionit.

“Ne jemi të shqetësuar për situatën në vend dhe ne jemi të përfshirë. Mundohemi të ndihmojmë tanimë një kohë të gjatë, por në fund të fundit është çështje e politikanëve të Maqedonisë që të gjejnë një zgjidhje. Dëgjoj që bisedimet po zhvillohen dhe kjo është një shenjë e mirë, por në fund nuk mund t’ju them asgjë, sepse është në duart e politikanëve që të gjejnë një zgjidhje dhe unë lutem që ta gjejnë atë.”- tha ambasadorja e Gjermanisë, Christine Althauser.

Për bisedime ndërmjet partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës nuk është njoftuar nga asnjëra prej katër partive politike. (Ersan Pajaziti, TVM2)