Maqedoni

Selmani: për gjendjen e mediave fajtor është pushteti

04.05.2016 16:31

Vetëm me ndërprerjen e dhunës së ushtruar nga pushteti, mediat mund të demokratizohen dhe të punojnë për publikun...

Vetëm me ndërprerjen e dhunës së ushtruar nga pushteti, mediat mund të demokratizohen dhe të punojnë për publikun, në të kundërtën situata mund të përshkallëzohet edhe me vrasje të gazetarëve.
 
Ishte ky vlerësimi i Naser Selmanit nga ShGM dhënë në emisionin “Argument” në TVM2. S
 
i bashkëfajtore të pushtetit Selmani akuzoi edhe Agjencinë e Mediave, e cila nuk është në mbrojtje të mediave, por i kontrollon ato me urdhër të pushtetit.
 
Ndaj akuzave të tilla reagoi anëtari i këtij trupi rregullator, Milaim Fetai, i cili tha se për lirinë e mediave përgjegjësia bie mbi gazetarët.  
                                                                                                    
“Ju nuk jeni aty për të mbrojtur median, por ju jeni aty për të kontrolluar median. Misioni elementar i juaji është të mbroni pabarabarësinë e mediave, ju nuk jeni në gjendje ta bëni këtë.”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.                  
                                                                                       
“Unë mendoj se mediat në Maqedoni çdo ditë e më tepër duhet të jenë të vetëdijshme për respektimin e standardeve, atë që bisedojmë ne tërë kohës, d.m.th. ka nevojë për rritjen e nivelit të profesionalizmit në media në këtë drejtim.”- tha anëtari i Këshillit të Agjencisë së Mediave, Milaim Fetai.      
                                                                        
“Unë e lash vendin e punës për të thënë se unë nuk pranoj të jem propagandues apo njeri që promovon politikat fashizoide të kësaj qeverie. Çfarë tjetër duhet të bëjmë ne, të vetëdigjemi para kuvendit? Është e papërgjegjshme të kërkoni përgjegjësi aty ku nuk e ka vendin. Përgjegjësia dihet ku është. Përgjegjësia për këtë gjendje të përgjithshme të situatës në Maqedoni është në partitë në pushtet.”- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.    
                                                                         
Në njëjtën vijë me Selmanin ishte edhe profesori universitar, Sefer Tahiri. Sipas tij, media mbetet e nënshkruar ndaj politikës, ngjashëm sikurse në kohën e komunizmit.  
               
“Cili është sistemi i vjetër? Është sistemi i cili gazetarët nuk i trajton si njerëz të cilët kanë përgjegjësi për informim të drejtë, objektiv, korrekt, të balancuar e kështu me radhë, por i trajton si punëtorë shoqëroro-politik. Në sistemin e kaluar ata që kanë punuar e dinë se çfarë do të thoshte kjo, që të merren direktivat prej selisë së komitetit qendror të partisë komuniste. Tani çfarë ndryshon? Ndryshon vetëm metodologjia. Në kuadër të pluralizmit kemi uniformitet sa i përket raportimit.”- u shpreh profesori universitar, Sefer Tahiri.  
                                              
Tahiri thotë se e nevojshme është që të kthehemi në binarë normal që politika të ketë raporte të natyrshme me median.
 
Sipas kreut të SHGM-së, Selmani, kjo do të mund të arrihet vetëm me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, duke u marrë parasysh propozimet e Brukselit dhe Uashingtonit për një hapësirë më të relaksuar mediatike.
 
MERAL ISMAILI