Zyrtarët dhe qytetarët turq mirëpresin vendimin për liberalizimin e vizave

04.05.2016 17:00

BE respektoi marrëveshjen e nënshkruar me Turqinë për t’i dhënë fund krizës së refugjatëve...

Komisioni Evropian fton shtetet anëtare dhe ligjvënësit të votojnë përpara fundit të qershorit lejimin e shtetasve turq gjatë pushimeve apo për biznes me leje afatshkurtra të hyjnë në vendet e BE-së pa viza.

Zëvendëspresidenti Timmermans tha se Turqia ka bërë një progres mbresëlënës. Megjithatë, sipas KE-së, ka ende punë për të bërë në plotësimin e standardeve.    

"Nëse Turqia mban progresin e arritur, ata mund të plotësojnë standardet e mbetura. Kjo është arsyeja se pse ne jemi në një pozicion që të vendosim përpara një propozim që hap rrugën për Parlamentin Evropian dhe shtetet anëtare për të vendosur heqjen e vizave. S’ka udhëtim të lirë dhe ne jemi të qartë në këtë drejtim, mbeten pesë kërkesa të cilat presim Turqia t’i plotësojë deri në fund të qershorit.”- tha zëvendëspresidenti i KE-së, Frans Timmermans.    

Në lidhje me këtë propozim, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Turqia i ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret e kërkuara, në mënyrë që qytetarët e saj të udhëtojnë lirshëm pa viza.

“Ne jemi në prag të kompletimit të punëve teknike, përfshirë çështjen e pasaportave. Ne duam që e gjithë kjo të përfshihet në raportin e Komisionit Evropian. Ky është një proces i ngjashëm me hyrjen në Bashkimin Evropian, dhe nëse ka pengesa, ato do të tejkalohen nga vendosmëria e Turqisë, në të ardhmen e afërt,” ka thënë sot Cavusoglu. Shtetasit turq në zyrën gjermane dhe italiane të vizave në Stamboll thonë se procedura për marrjen e vizave është e lodhshme, prandaj mirëpresin liberalizimin.                                                                                     

"Është dashur të kalojmë një procedurë dokumentacioni të panevojshme dhe kjo ishte vetëm një humbje kohe nëse e shohim drejt.”- tha qytetari, Tolga Saglam.                  

"Nëse kjo përfundon, me siguri se gjërat do të jenë shumë më të lehta. Vetëm do të na duhet të planifikojmë udhëtimin dhe të sigurojmë biletën e aeroplanit. Ndryshe, më parë duhej të siguroja vizë.”- theksoi punëtorja në sektor të financave, Seda Agirgun.     

Të martën, Komisioni përshëndeti një dekret nga Ankaraja, e cila i lejon udhëtimin pa viza për në Turqi të gjithë qytetarëve të 28 vendeve anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe Qipron, e cila nga Turqia refuzohet të njihet me dekada.

Marrëveshja do të kushtëzohet me masa që do të duhet t'i ndërmarrë Turqia që të fitojë heqje të vizave për qytetarët turq gjatë udhëtimeve të shkurtra në zonën e Shengenit.

Ankaraja e përforcoi presionin javëve të fundit me kërcënime se nuk do ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes BE-Turqi për migrimin nga 18 marsi nëse premtimi evropian për heqje të sanksioneve nuk plotësohet. (Leunora Kaliqi, TVM2)