Analistët: Përzhina në rrezik, partitë të zbusin qëndrimet

04.05.2016 17:28

Edhe pse ndërkombëtarët në vazhdimësi thonë se Marrëveshja e Përzhinës ka ardhmëri, ardhmërinë e kësaj marrëveshje politike analistët politik në vend e shohin me skepticizëm...

Për profesorin universitar, Ylber Sela, nëse palët nuk zbusin qëndrimet, durimi i ndërkombëtarëve mund të marrë fund së shpejti dhe Maqedonia të ballafaqohet me pasoja fatale. Prandaj, sipas tij, partitë politike duhet të lënë anash inatin dhe të lëshojnë pe që të arrihet deri te tejkalimi i krizës politike. 

“Unë shpresoj që katër liderët politik, sidomos ata maqedonas, pasi që pala shqiptare është më konstruktive, të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të arrijnë atë që qytetarët e duan. Duhet t’i tejkalojnë disa inate dhe disa përgjegjësi të cilat i kanë. Normalisht, kështu e ka politika, por vendit duhet t’i hapet rruga, sepse nuk mundet për 1, 10 apo 100 persona të vuajnë dy milionë qytetarë të Maqedonisë.”- deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.

Ekspertët e përjashtojnë mundësinë për pastrim të tërësishëm të  listës zgjedhore deri më 5 qershor, pasi, siç thonë, të gjitha afatet janë shkelur, por edhe shprehin një dozë skepticizëm në lidhje me mundësitë teknike për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë.

“Nuk ka asnjë arsye për të imponuar një datë në qershor për zgjedhjet, për shkak se situata aktuale politike kërkon, ndër të tjera, edhe listë zgjedhore të pastruar, por pastrimi i saj është shumë shumë larg.”- theksoi profesori universitar, Temellko Ristevski.

Analistët vënë në dukje se stërzgjatja e krizës politike po dëmton edhe proceset integruese. (Sanije Duraku, TVM2)