Plomp: Mos humbni asnjë sekondë, tejkaloni krizën

04.05.2016 18:58

Kriza politike në Maqedoni është shndërruar në krizë të gjatë dhe akoma nuk ka një zgjidhje, aq më tepër tani kur vendi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme parlamentare....

Kështu ka deklaruar sot ambasadori holandez, Walter Plomp. Sipas tij, Maqedonia nuk duhet të humb as një sekondë në krijimin e kushteve të kërkuara nga diplomatët ndërkombëtarë.

“Do të doja t’ju them diçka më tepër, por ajo që di është se ambasadori i ShBA-ve dhe BE-së janë në kontakt me partitë politike, e di se eurokomisioneri Hahn ka dërguar mesazhin javën e kaluar. E dini atë që është thënë më herët nga BE dhe ShBA, të cilët ishin shumë të qartë se falja nga presidenti Ivanov duhet të tërhiqet dhe kushtet që duhet të plotësohen për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile.”- deklaroi ambasadori i Holandës në vend, Walter  Plomp.            

Ndaj zgjidhjes së krizës politike vendi duhet të tregojë vullnet politik, vlerëson nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.

“Maqedonia momentalisht gjendet në krizë politike, e cila negativisht ndikon në jetën politike dhe proceset e jashtme për të cilat me përkushtim punuam në periudhën e kaluar. Nën shpirtin e vlerave evropiane, ne patjetër duhet të tregojmë vullnet për gjetjen e zgjidhjes, e cila do të jetë në interes të qytetarëve.”- tha kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.     

Edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi, beson se do të gjendet një zgjidhje politike, e që, sipas tij, pushteti ia ka borxh qytetarëve. Ademi po ashtu vlerësoi rolin e faktorit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës dhe mbështetjen në proceset integruese.

“Ne me komunitetin ndërkombëtar, me miqtë ndërkombëtarë, si Sekretariat për çështje evropiane, jemi në komunikim të vazhdueshëm, këtë komunikim tentojmë t’a kultivojmë edhe më shumë. Ne i inkurajojmë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar për të gjitha hapat që po i ndërmarrin për të dalë vendi nga kriza dhe ndërmjetësimi i tyre është i mirëseardhur.”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.

Këto vlerësime u bënë me rastin e shënimit të Ditëve të Evropës në komunën e Çairit, organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)