Maqedoni

Kumanovë: U rikthyen protestat

04.05.2016 21:04

Në organizim të më tepër organizatave joqeveritare, në Kumanovë, sot për të shtatën herë u mbajtën protestat e “Revolucionit të larmë”...

Në organizim të më tepër organizatave joqeveritare, në Kumanovë, sot për të shtatën herë u mbajtën protestat e “Revolucionit të larmë”, me të cilin kundërshtohet vendimi i Presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e 56 politikanëve, të përfshirë në hetimet e prokurorisë speciale publike.
 
Me këto protesta gjithashtu kërkohet edhe shtyerja e Zgjedhjeve Parlamentare, të caktuara për 5 qershor, por edhe i jepet mbështetje Prokurorisë Speciale Publike.
 
Edhe këtë herë protesta filloi me pikënise para godinës së Gjyqit themelor të Kumanovës, për të vazhduar marshimin nëpër rrugët e qytetit.
 
Protestuesit tërë kohën brohoritnin tashmë parrullat e njohura kurse në asfalt hedhnin tullumbace të mbushura me ngjyra të ndryshme.
 
Nën përcjelljen e organeve të rendit, protesta kaloi e qetë dhe pa incidente.
 
NEXHAT AQIFI