Maqedoni

Tetovë, protestat dhe kundër protesta

04.05.2016 21:17

Në Tetovë u mbajtur sonte protesta antiqeveritare me theks të veçantë, kundër vendimit të presidentit Ivanov për abolimin e 56 politikanëve...

Gjysmë ore para protestave të paralajmëruara nga sektori civil, janë realizuar edhe kundër protestat, të cilat kanë filluar nga shtëpia e Armatës dhe kanë lëvizur deri tek selia e LSDM-së ku u takuan me protestuesit antiqeveritarë, ku nuk munguan ofendimet e të dyja palëve, por nuk erdhi deri te ndonjë incident më serioz.

Protestat e paralajmëruara javë më parë nga nisma qytetare protestoj, kanë filluar para gjykatës së Tetovës, ku edhe kanë nxjerrë pankartat me kërkesat e tyre, ndërsa kanë skanduar zëshëm poshtë qeveria, pa drejtësi nuk ka qetësi dhe dorëheqje Ivanov.

Ata më pastaj vazhduan në rrugën e objektit të komunës së Tetovës për të arritur deri zyra e presidentit Ivanov në Tetovë, ku edhe kanë përsëritur ritualin e tyre të skandimeve.

Protestë së sontme iu bashkangjitën partia për emancipimin e plotë të romëve e Samka Ibraimovskit dhe Partia Demokratike Turke. 

VISAR SADIKI