Maqedoni
Shkëmbim akuzash mes PDSH-së dhe BDI-së
17.03.2014 17:36
Partia Demokratike Shqiptare, sot sërish ka lëshuar akuza në adresë të partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, për korrupsion...

Partia Demokratike Shqiptare, sot sërish ka lëshuar akuza në adresë të partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, për korrupsion. Anëtari i kryesisë qëndrore të PDSH-së , Bekim Fazliu, tha se përveç Ermira Mehmetit, ministri i mbrojtjes Talat Xhaferi, ka paguar edhe këshilltarin e kryeministrit Gruevski, Vllado Popovskin.
“Pyesim publikisht Ermira Mehmetin, përveç rrogës mujore që kalon 1500 euro dhe 500 euro në muaj nga Talati edhe sa burime tjera financimi shfrytëzon në kurriz të shqiptarëve. Për të mos ngelur ndonjë maqedonas pa të ardhura, është përkujdesur Talati, duke e paguar nga 500 euro këshilltarin e Gruevskit dhe atij të Qytetit të Shkupit. Pyesim Talatin, përveç “Shkupit 2014”, cilat shërbime tjera anti-shqiptare ia paguani Vllado Popovskit”, u shpreh Bekim Fazliu.
Në ndërkohë kundërpërgjigjen nga BDI, duke thënë se PDSH me akuzat e tyre qesharake, vetëm po dëshmojnë edhe më shumë se po bëjnë avokatinë e disa qendrave politike në vend, të cilët janë shqetësuar tejmase që në krye të ushtrisë së Republikës së Maqedonisë janë luftëtarët e lirisë. Andaj me akuza të pabaza po tentojnë të njollosin këtë të arritur historike të shqiptarëve të Maqedonisë, vetëm se ashtu e kanë marrë porosinë. Të akuzosh një ministër shqiptar të mbrojtjes, se ka angazhuar këshilltar të përgatitur me qëllim që politikat e mbrojtjes të jenë konform atyre të Nato-s edhe atë me pagesë sa një rrogë mesatare në Maqedoni, është më shumë se hipokrizi. Themi se është hipokrizi, pasi këto akuza vijnë nga partia e cila i jepte plaketa për merita të dënuarit për krime ndaj civilëve shqiptarë gjatë vitit 2001, Ljube Boshkovskit, partia e cila kërkonte nga shteti që të vepron kundër luftëtarëve të lirisë dhe shprehte kënaqësi për aksionet e kryera, para se të merret me BDI-në është mirë që PDSH të sqarojë opinionin lidhur me aferën e Interprometit që doli në media dhe dalja e tyre me kandidat në zgjedhjet presidenciale e ka çmimin pikërisht në këtë aferë", thuhet në reagimin e BDI-së. (Zejxhane Osmani, TVM2)
