Botë

BE, kriza e refugjatëve, gjobë vendeve që nuk pranojnë migrantë

05.05.2016 12:36

Bashkimi Evropian nuk do të lejojë më vendet e bllokut që të pranojnë me vullnet të lirë kuotat e refugjatëve...

Komisioni Evropian ka propozuar reforma që gjobisin drejtpërsëdrejti shtetet që refuzojnë të pranojnë azilantë. Gjoba mendohet se do të arrijë vlerën deri në 250 mijë euro për një refugjat të refuzuar.

Thelbi i rregullores së Dublinit do të mbetet i njëjtë: refugjatët do të kërkojnë azil në shtetin e parë ku ata mbërrijnë.

Marrëveshja me Turqinë ka reduktuar fluksin e refugjatëve dhe kjo do të sjellë edhe një reduktim të dukshëm të tensionit brenda bllokut mbi këtë çështje.

Por, para se të gjobisë, Komisioni Evropian ka vendosur të rishikojë skemën e kuotave të shteteve në bazë të popullsisë.

Gjithsesi, planet e reja kërkojnë miratimin e shteteve të bllokut si edhe të eurodeputetëve. Propozimet e reja kanë ngritur alarmin në vendet e Evropës lindore, që kanë refuzuar të pranojnë refugjatët.

Republika e Çekisë, Hungaria, Sllovakia dhe Polonia i kanë kundërshtuar ata. Polonisë i është caktuar të marrë 7 mijë azilantë dhe nëse nuk e zbaton këtë, atëherë gjoba ndaj shtetit mund të kapë vlerën e 1.75 miliardë eurove.