Futboll

Real në finalen e Ligës së Kampionëve, takohet me Atletikon

05.05.2016 12:58

Një finale e tëra spanjolle në Uefa Champions League. Reali i Madridit do të përballet me Atletikon në finalen e Milanos, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e kthimit Manchester City-n...

Një sukses i merituar për ekipin e Zidane që vazhdon rrugën drejt trofeut të 11-të falë një goli të Bale, që u ndihmua dhe nga një devijim i Fernandos.
 
Reali kishte në këtë sfidë dhe shërbimet e Ronaldos që arriti të riaftësohet për sfidën e kthimit dhe pse në fakt nuk mundi dot të shënojë për të thyer rekordin e golave, që mbahet po nga vetë ai në këtë kompeticion.
 
Kalimi në finale ishte i merituar për Realin që dominoi ndeshjen në pjesën më të madhe të saj përballë një City pragmatist. Gjithsesi dhe anglezët patën një mundësi të mirë për të barazuar me Fernandinho në minutën e 44-të, me topin që u përplas në shtyllë.
 
Te traversa u ndal dhe Bale në minutën e 66-të. Megjithatë mungesa e fatit në këtë rast nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar pasi në finale shkoi Reali, duke përsëritur sfidën e Lisbonës së dy vjetëve më parë, kur në “Da Luz” luajtën përballë njëri-tjetrit, pikërisht Real dhe Atletiko.