Maqedoni

Në listën zgjedhore Ivanovi i pari, Halimi i dyti

17.03.2014 17:40

Gjorge Ivanov do të mbajë numrin një në fletëvotimin për zgjedhjet presidenciale të 13 dhe 27 prillit...

Gjorge Ivanov do të mbajë numrin një në fletëvotimin për zgjedhjet presidenciale të 13 dhe 27 prillit. Me numër rendor dy, do të jetë kandidati i PDSh-së, Iliaz Halimi, i ndjekur nga kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, i cili mban numrin tre, ndërsa kandidati i Opsionit Qytetar për Maqedoninë – GROM, Zoran Popovski, do të jetë i fundit në fletëvotim, përkatësisht do të mbajë numrin katër.  Kështu rezultoi shorti për radhitjen e kandidatëve për president në fletëvotim, i cili sot u hodh në KShZ.
 
Lista e vetme për kandidat për zgjedhje të presidentit të Republikës së Maqedonisë, e konfirmuar nga KShZ, do të publikohet në gazetën zyrtare, më së voni deri nesër.
 
Kandidati për president të shtetit, Gjorge Ivanov, ka mbështetjen e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit "Për një Maqedoni më të mirë", ndërkaq është propozuar me nënshkrime të 55 deputetëve dhe 64.961 nënshkrime nga qytetarët. Stevo Pendaroski u propozua me nënshkrimin e 38 deputetëve nga LSDM-ja, Iljaz Halimi është kandidati i PDSH-së, i kandiduar me grumbullimin e 12.303 nënshkrimeve dhe Zoran Popovski është kandidat i GROM-it, i propozuar me nënshkrime të 10.585 qytetarëve.
 
Sot përfundon edhe afati kur partitë politike mund të dorëzojnë kërkesë deri në KShZ për shënimin, plotësimin dhe fshirjen e të dhënave në listën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale. KShZ duhet të mbyll listën zgjedhore, më së voni deri më 22 mars.
 
Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale fillon më 24 mars, ndërsa që nesër, më 18 mars, fillon periudha 20 ditore para fillimit të fushatës, kur nuk mund të vihen gurthemele dhe as të përurohen objekte publike të ndërtuara më parë, periudhë kur në harmoni me normat e reja ligjore të parapara me kodin zgjedhor, ndalohet pagesa e subvencioneve dhe të gjitha llojet e të dalave buxhetore, që nuk janë pagesa të rregullta mujore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)