Maqedoni

Petir: nuk keni nevojë për tutorë, zgjidheni vetë krizën

05.05.2016 15:13

Eurodeputetja, Mariana Petir, vlerëson se zgjedhjet nuk duhet të prolongohen dhe në pushtet arrihet përmes rrugës demokratike dhe legjitimitetit...

Sipas saj, nëse janë krijuar apo jo kushtet për zgjedhje më 5 qershor, këtë duhet t’a deklarojë vetëm Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, si i vetmi organ kompetent. Petir është optimiste se kriza do të zgjidhet brenda vendit, e sipas saj Maqedonisë nuk i nevojitet ndihmë nga jashtë.
 
“Maqedonia nuk ka nevojë për tutorë. Politikanët dhe popullata e Maqedonisë kanë aftësi të mjaftueshme të udhëheqin me politikën e brendshme të tyre. Ekziston Komision Shtetëror Zgjedhor, të cilin e ftoj të qartësojë nëse lista zgjedhore është në rregull dhe nëse janë të gatshëm për zgjedhje. Unë atë nuk mundem ta vendosi, por gjithsecili e ka marrë pjesën e obligimeve nga marrëveshja e nënshkruar në vitin e kaluar. A ka dikush dyshim në punën e KShZ-së? Këtë nuk mund ta them unë, ju duhet të jepni përgjigje!”- tha eurodeputetja, Marijana Petir.
 
Petir gjithashtu kërkoi unitet të forcave politike për të bindur popullatën në vend se eurointegrimet janë ndër prioritetet kryesore politike.
 
Këto komente eurodeputetja i bëri në debatin kushtuar sfidave eurointegruese të vendit dhe politikave të zgjerimit të BE-së organizuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU