Maqedoni
Pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën në Siri, Shtuni: numër shqetësues për një shoqëri të vogël
05.05.2016 15:31
“Ekstremizmi nuk ka fe, as kombësi e as etni të veçantë. Ai është një fenomen shqetësues, që përfshin të gjitha shoqëritë e që duhet të luftohet nga të gjithë”...

Ky ishte konkluzioni i debatit kushtuar ekstremizmit të dhunshëm, i organizuar nga Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup. Studiuesi, Ardian Shtuni, thotë se 1000 luftëtarë nga Ballkani u janë bashkangjitur grupeve terroriste në Siri e vende të tjera konflikti.
Rreth 500 prej tyre janë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora, 140 nga Maqedonia. Por, sipas tij, jo të gjithë kanë shkuar të luftojnë.
Qëllimet e tyre fillimisht ishin humanitare, por më pas rrethanat kanë bërë të mbeten atje dhe shumë prej tyre po përpiqen të dalin me çdo kusht nga këto zona luftërash.
Por, edhe pse numri i shqiptarëve që luftojnë në Siri nuk është aq i lartë sa mundohen t’a paraqesin qarqe të caktuara, sërish ai është shqetësues, thotë Shtuni.
“Është dhunë e cila krijohet nga aktorët joshtetëror në emër të qëllimeve politike etnike fetare apo ideologjike, dhe përfshin rekrutimin si dhe lehtësimin e dhunës. Por, nëse i shikojmë edhe ato që dalin nga mediat, nuk janë të gjithë këta persona që ju mungon ekonomia, shkollimi, por duhet t’i kuptojmë në vetvete, që ne në akademi i quajmë push and pull factor, që janë fenomenet shtytës dhe tërheqës, që është edhe politika edhe ekonomia, të gjitha çështje strukturore, por janë edhe dinamikat brenda shoqërisë.”- deklaroi studiuesi në Grupin “Navanti”, Ardian Shtuni.
Gjithsesi, Shtuni thotë se ata që kthehen nga vendet e luftës nuk duhen paragjykuar që në fillim, por duhet t’ju ndihmohet që të mund të rehabilitohen e të vazhdojnë jetën e tyre atu ku e ndërprenë para se të largoheshin drejt shteteve në konflikt.
REJHANE BUSHI-METAJ
