Maqedoni
Shënohet Dita e dëshmorëve – 5 Maji, nderohen të rënët për idealet kombëtare
05.05.2016 16:01
Me rastin e 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve, në organizim të SHVL-UÇK-së, sot u nderuan të gjithë të rënët për idealet kombëtare...

Në këto homazhe morën pjesë familjarët e dëshmorëve dhe veprimtarëve, invalidëve të luftës dhe pjesëtarë të pushtetit qendror dhe atij lokal.
Në shenjë nderimi për gjakun e derdhur dhe sakrificën e tyre për idealet kombëtare, sot u bënë homazhe në varrezat ku prehen dëshmorët e kombit dhe veprimtarët e kauzës shqiptare.
Pas Strugës, karvani i pjesëtarëve të ShVL të UÇK-së u ndal në Kërçovë, ku u bënë homazhe për veprimtarët, Gafurr Zendeli, Abedin Hyseni e Medin Emini dhe për të vazhduar në varrezat e fshatit Kollarë, ku lule të freskëta u vendosën tek varret e dëshmorëve, Beqir Limani dhe Ruzhdi Veliu.
“Sot përkujtohen të gjithë dëshmorët e kombit të rënë për atdhe, për të respektuar veprën e tyre madhore dhe përkushtuese, e cila njëherit është edhe mesazh për gjeneratat e reja.”- potencoi veprimtari Fatmir Limani, i cili shtoi se Dita e 5 Majit përkujton përjetësinë e dëshmorëve dhe veprimtarëve të kombit, të cilëve u jemi mirënjohës për gjakun e derdhur, sakrificën e madhe dhe veprat e tyre që do t’u shërbejnë gjeneratave të reja si mësim dhe frymëzim për misionet e kauzës kombëtare.
Ai në emër të familjeve i falënderoi të gjithë ata që e respektuan veprën e tyre përkushtuese dhe më pas të gjithë u përulën përpara atyre që e dhanë jetën për komb e atdhe.
SHABAN DALIPI
