Maqedoni

Malevski: ndërhyrja e Gjermanisë flet sa serioze është kriza; Mehmeti: BE dhe ShBA kanë ndërmarrë një lëvizje taktike

05.05.2016 16:11

Dërgimi i eurodeputetit gjerman, Johanes Hajndl, për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike për analistët...

Dërgimi i eurodeputetit gjerman, Johanes Hajndl, për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike për analistët, është një pikë shprese se më në fund vendi do të dalë nga “rruga pa krye” në të cilën është futur.
 
Profesori universitar, Denko Malevski, vlerëson se kjo është një porosi serioze për një krizë serioze si kjo në të cilën gjendet Maqedonia. 
 
“Është një vendim i mirë, por disa personave mund t’ju duket sikur se është ulur niveli i angazhimit ndërkombëtar, por nuk është ashtu! Ndërhyrja e Gjermanisë flet se sa serioze është kriza. Gjermania është një forcë e madhe dhe për të zgjidhur një krizë të brendshme serioze kërkohet angazhim pikërisht nga një shtet që ka fuqi të mëdha."- deklaroi profesori universitar, Denko Malevski.
 
Vetë ndërhyrja e Gjermanisë flet se kriza politike është e komplikuar dhe se ka mungesë të efikasitetit të Diplomacisë evropiane, e cila ka problem të brendshëm në definimin e qëndrimeve, vlerëson analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
 
Sipas tij, BE nuk ka lëshuar pe ndaj Maqedonisë, por po ndërmerr një lëvizje taktike. 
 
“Nuk ka lëshuar pe ndaj Maqedonisë, por bëhet fjalë për një tërheqje taktike të BE-së dhe ShBA-së, sepse u pa se angazhimi i tyre i parezervë për të ndihmuar vendin të dalë nga kjo krizë nuk rezultoi me rezultate konkrete, nuk u arrit një fillim i dialogut serioz të politikanëve në vend… Mendoj se kjo paraqet një shenjë pozitive, sepse Gjermani është një vend jashtëzakonisht me ndikim jo vetëm në botë, por edhe tek ne.”- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
 
Sipas analistëve, ndërhyrja direkte e Gjermanisë flet se koha që ju dha liderëve të katër partive politike në vend për të lëvizur situatën në drejtim të duhur ka përfunduar. 
 
SANIJE DURAKU