Futboll
4 skuadra në “luftë” për finalen e Europa League
05.05.2016 16:13
Të enjten në mbrëmje luhen dy ndeshjet e kthimit në Europa League dhe mundësitë janë shumë të mëdha që takimi final të luhet ndërmjet dy klubeve spanjolle...

Tashmë nevojitet edhe një sforcim i fundit për të mbërthyer një vend në ndeshjen përmbyllëse të 18 majit, në St. Jakob – Park sidoqoftë 90′ e para i dhanë një avantazh të mirë si Seviljes ashtu edhe Vijarealit.
Në El Madrigal spikatën durimi dhe zgjuarsia taktike e trajnerit Marcelino Garcia Toral, që u mundua më së shumti për të mos pësuar, ndërkaq në krahun tjetër në mënyrë të pashpjegueshme trajneri Jurgen Klopp preferoi të luajë pa sulmues të mirëfilltë, zgjedhje që përvec kritikave të shumta solli njëherësh edhe disfatën e ndeshjes së parë.
Goli i shënuar pikërisht në kohën shtesë nga ana e Adrian Lopez përvecse lehtësisht i evitueshëm ishte gjithashtu edhe tepër naiv, gjithsesi ky pritet të jetë edhe celësi i takimit të kthimit dhe pyetja që lind natyrshëm është a do të gjejë dot zgjidhjet e duhura trajneri gjermani i “të kuqve” për të neutralizuar kundërzbritjet e shpejta dhe tepër të rrezikshme të Villarrealit.
Takimi tjetër mes Sevilja dhe Shatijorit ënnë Ukranië përfundoi në barazimin 2-2.
Ekipi vendas përmbysi që në pjesën e parë disavantazhin e golit të shpejtë të Vitolos, por ai 11-metërsh i shndërruar në gol nga Gameiro në fund të ndeshjes tashmë i jep goxha epërsi klubit andaluzian.
Nëse kualifikohen skuadrat e Seviljes dhe Vijarealit atëherë do të kemi finalen e tretë ndërmjet dy klubeve spanjolle në këtë kompeticion, pas viteve 2007 e 2012 ku u regjistruan finalet Sevilje – Espanjol dhe Atletico Madrid – Athletic Bilbao.
