Botë
Tiranë, reforma në drejtësi, përplaset politika
05.05.2016 16:26
Një ditë pasi ambasadori amerikan, Donald Lu, lëshoi deklarata të forta për reformën në drejtësi...

Një ditë pasi ambasadori amerikan, Donald Lu, lëshoi deklarata të forta për reformën në drejtësi, Ambasada amerikane ka vendosur të marrë pjesë në mbledhjet e PS-së, LSI-së e PD-së.
Por, pavarësisht se në fillim nuk kundërshtuan, duket se ato nuk janë më dakord që diplomatët e huaj të jenë të pranishëm në mbledhjet e tyre.
Fillimisht, ishin demokratët ata që anuluan këtë mbledhje. Afro një orë më pas u njoftua edhe anulimi i mbledhjes së grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së.
Ende nuk dihen arsyet e anulimit të mbledhjeve apo nëse do të mbahen në të ardhmen. Ndërkaq, Ambasada amerikane njofton se po punohet që këto takime të mund të realizohen në javën e ardhshme.
Kjo iniciativë e ambasadorëve për të qenë prezent gjatë diskutimeve në mbledhjet e grupeve parlamentare ka shkaktuar debate edhe në seancën parlamentare. Për kryeministrin Rama kjo është një gjë normale.
“Reforma në drejtësi është një projekt i përbashkët, tërësisht i përbashkët. Në këtë pikë, thjesht për informacion, Shqipëria nuk bën përjashtim nga asnjë prej vendeve që i janë bashkuar familjes evropiane.”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa për deputetin, Ben Blushi, “ky është fundi i parlamentarizmit dhe se amerikanët po tallen me politikanët shqiptarë”.
“Çmimi është tallja me ne, përçmimin e këtij parlamenti, kësaj klase politike dhe në fund shfarosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shfarosjes, proces që shqiptarët për 25 vjet nuk e bënë dot me votë dhe Shqipëria ndoshta do të jetë më mirë kur ne të ikim.”- tha deputeti i PS-së, Ben Blushi.
Ambasadorët, Lu dhe Vlahutin, morën pjesë një ditë më parë në Komisionin e Reformës në Drejtësi, ku iu drejtua deputetëve se nëse dështon reforma në drejtësi, ky do të jetë një turp për zgjedhësit, ShBA-të dhe Bashkimin Evropian.
LULJETA NDOKA
