Maqedoni

BE dhe ShGM me projekt për mediat, synohet rritja e lirisë së shprehjes në media

05.05.2016 16:42

Në përpjekje për të ndryshuar situatën mediatike në vend, Bashkimi Evropian bashkë me ShGM-në promovuan projektin...

Në përpjekje për të ndryshuar situatën mediatike në vend, Bashkimi Evropian bashkë me ShGM-në promovuan projektin për rritjen e lirisë së shprehjes në media dhe raportimit më profesional.
 
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, tha se liria e mediave është në krye të agjendës evropiane.
 
Sipas tij, në Maqedoni ka mungesë të raportimit të balancuar, gazetarët nuk kanë qasje të plotë në informacionet me karakter publik, gazetarët janë të ndarë, ndërkaq financimi i mediave nuk është transparent.
 
Sipas Oravit, të gjitha këto mangësi duhet tejkaluar, ndërkaq ftoi edhe Agjencinë e Mediave të jetë e pavarur në nivel të detyrës.
 
“Projekti që po promovojmë sot ka të bëjë me ngritjen e raportimit profesional, rritjen e solidaritetit midis gazetarëve dhe nivelin më të lartë të lirisë së shprehjes. BE ka ndarë afër 200 mijë euro për këtë projekt, që do të realizohet për tre vite. Situata në media do të duhet të ndryshojë, njerëzit duhet të informohen drejtë dhe të jenë pjesë përbërëse e krijimit të opinionit publik dhe vendimmarrjes.”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
Edhe kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, u drejtoi vërejtje mediave propushtetit, të cilat nuk raportojnë në mënyrë të balancuar kur është në pyetje dinjiteti i gazetarëve, duke aluduar në gazetarin e burgosur Bozhinovski. 
 
“Nuk ankohem se pjesa më e madhe e mediave i bojkotojnë aktivitetet e ShGM-së, pasi që kjo është lajm i vjetruar, por e them këtë për faktin që bëhej fjalë për gazetarë në burg, i cili ka nevojë për mbështetjen tonë. Nuk është koha për debate akademike për atë se çfarë nënkupton gazetari e mirë, por është kohë kritike kur duhet të shpëtojmë besimin se në Maqedoni mund të kemi media të lira dhe profesionale.”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Sipas Selmanit, edhe zgjedhjet nuk mund të jenë kredibile nëse nuk ka reforma në media.
 
Projekti i financuar nga BE vjen në kohën kur Maqedonia gjendet në një krizë të thellë politike, ndërkaq reformat në media nuk janë përmbushur pas refuzimit të propozimeve të ish ndërmjetësit, Piter Vanhaute, shtruar në tryezën e bisedimeve me grupet e punës.
 
MERAL ISMAILI