Botë

Mogherini viziton Kosovën: festojmë lëvizjen e lirë në zemër të Evropës

05.05.2016 17:00

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari, Dimitris Avramopulos, vizituan Kosovën...

Mogherini dhe Avramopulos vlerësojnë se rekomandimi për liberalizimin e vizave është si rezultat i punës së madhe të përbashkët, është hap i rëndësishëm që do të ketë impakt në jetën e përditshme të kosovarëve, por edhe të integrimit të Kosovës në Evropë.
 
“Kjo do të thotë se Kosova është Evropë dhe ne jemi duke punuar në integrimin evropian të Kosovës. Është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, e komplikuar dhe kur themi perspektiva evropiane e Kosovës, nisemi nga themelet, historia dhe të gjitha aspektet tjera. Ky vend është në zemër të kontinentit dhe ne jemi duke festuar sot.”- deklaroi zëvendëspresidentja e BE-së, Federica Mogherini.
 
“Jemi shumë të lumtur që e ndajmë këtë moment me kosovarët, vizita jonë korrespondon me një ngjarje tjetër, atë të UEFA-s dhe liberalizimin e vizave, janë të dyja në shërbim të qytetarëve kosovarë, në mënyrë që të thellojmë unitetin kombëtar dhe jemi këtu të ndajmë gëzimin. Kosova është pjesë e familjes evropiane dhe nga momenti kur kjo derë do të hapet, nuk është larg kur do të shijojmë përafrimin.”- tha komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi në BE, Dimitris Avramopulos.
 
Kryeministri  Mustafa tha se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe ky është përcaktimi i të gjithë qytetarëve të vendit. 
 
“Kosova do bëjë përpjekje maksimale që të jetë shembull për respektimin e rregullave të liberalizimit. Dialogu dhe fqinjësia e mirë janë vlera evropiane që shoqëria kosovare është e përkushtuar pa asnjë dilemë.”- theksoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
 
Vizita e Mogerinit realizohet një ditë pasi Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
 
Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.
 
GYLTENE SINANI