Maqedoni

Universiteti i Tetovës nderon Adem Demaçin me titullin “Honoris Causa”

05.05.2016 17:05

Në një akademi solemne të organizuar, Universiteti i Tetovës dekoroi me titullin “Doctor Honoris Causa” veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi...

Në një akademi solemne të organizuar, Universiteti i Tetovës dekoroi me titullin “Doctor Honoris Causa” veprimtarin e çështjes kombëtare, Adem Demaçi, për kontributin e jashtëzakonshëm në çështjen shqiptare.
 
Të pranishmit në  solemnitet, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, vlerësuan lartë kontributit e madh që dha Demaçi për shqiptarët ndër vite.
 
“Universiteti i Tetovës i ndan z. Adem Demaçit titullin ‘Doctor Honoris Causa’ për flijimin e tij deri në vetëmohim, për çështjen kombëtare, për kontributin e jashtëzakonshëm prej humanisti, ndërtuesit të ideve universale demokratike, për sakrifica sublime për arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare, si dhe për mbështetjen e parezervë të Universitetit të Tetovës.”- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti.
 
“Adem Demaçi është personaliteti që më së miri dhe më bujshëm se askush tjetër u mor me çështjen ekzistenciale të popullit të vendit të tij.”- tha ministri i Arsimit i Kosovës, Arsim Bajrami.
 
“Kosova, në të vërtetë populli shqiptar ka pasur fat të madh që ka arritur një personalitet siç është Adem Demaçi.”- theksoi ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla.
 
“Ai do të marrë vetëm titullit ndërsa Universiteti i Tetovës dhe shqiptarët kanë fituar nderin, privilegjin dhe respektin.”- u shpreh zëvendëskryeministri për implementimin e MO-së, Festim Halili.
 
Fjalim përshëndetës u mbajt edhe nga përfaqësues të Zyrës së kryetarit të Republikës së Kosovës.
 
Adem Demaçi do të shërbejë si një shembull i shkëlqyer se në sajë të sakrificave me persekutim, intelektuali vizionar dhe qëndrestari i pashoq shndërrohen në vlera të përjetshme për kombin që i takon.
 
BELINDA KOKA-ADEMI