Maqedoni
Kërkesat e të burgosurve, Davidoviq: kërkojnë ulje 30%, jo falje mëkatesh; Pejkovski: nuk ka grevë në Idrizovë
05.05.2016 17:10
Vendimi i presidentit Ivanov për të aboluar politikanët nën hetime ka ngjallur pakënaqësi dhe kërkesa tek të burgosurit në burgun e Idrizovës...

Ata kishin paralajmëruar protesta nga ana e tyre dhe familjarëve, por para burgut të Idrizovës sot nuk ishte askush.
Avokati, Zvonko Davidoviç, paraqiti kërkesat e të burgosurve, mes të cilave, atë të faljes së një pjese të dënimit.
Sipas tij, nëse presidenti falë politikanë të cilët janë nën hetime për vepra të rënda kriminale, atëherë duhet t’i falë edhe të dënuarit që vuajnë dënime momentalisht.
“Ata kërkuan falje nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, të inkurajuar nga falja e elitës politike dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke vlerësuar se nëse procedura për falje të veprave të rënda penale mund të vazhdojë për ata, pse mos të vazhdojë edhe për këta. Të burgosurit nuk kërkojnë asgjë më tepër se ajo që është parashikuar në Ligjin për falje, përkatësisht ulje të dënimit për 30%, ndërsa të burgosurve me dënim të përjetshëm dënimi t’u zvogëlohet deri më 20 vjet, pra ata nuk kërkojnë që t’u falen të gjitha mëkatet, siç kërkon struktura politike.”- deklaroi avokati, Zvonko Davidovic.
Por, protestën e mohon drejtori i Burgut të Idrizovës.
“Deri më tani nga ana e të burgosurve nuk kemi asnjë paralajmërim për protestë. E gjithë kjo ka filluar nga letrat që i kanë dërguar deri tek presidenti në lidhje me abolimin, megjithatë edhe vet të burgosurit e dinë se një gjë e tillë nuk varet nga ne, por nga presidenti dhe nga strukturat më të larta.”- tha drejtori i Burgut të Idrizovës, Zhivko Pejkovski.
Në ambientet e burgut ishin të pranishëm edhe avokatët e popullit, por ata nuk u prononcuan para kamerave.
ERSAN PAJAZITI
