Maqedoni
Orav dhe Bejli rekomandojnë takim liderësh
05.05.2016 17:23
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, dhe ai i ShBA-ve, Xhes Bejli, vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike...

Orav drejtoi porosi të qartë për presidentin, Gjorge Ivanov, që të tërheqë vendimin për falje, që, sipas tij, është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe sundimin e së drejtës.
Orav tha se nuk duhet të pengohen hetimet e Prokurorisë Speciale, ndërkaq pret që liderët të mblidhen dhe të diskutojnë se si do t’a nxjerrin vendin nga kriza.
“Liderët e partive politike e dinë shumë mirë se çfarë duhet bërë. Prandaj, shpresoj që bisedimet në kuadër të katër partive politike do të nisin, nëse jo sot, atëherë nesër. Më duhet të theksoj se, ajo çfarë duhet bërë sa më shpejtë të jetë e mundur, është që presidenti të tërheqë vendimin për abolim. Kur presidenti në deklarimin e tij prezantoi vendimin, ai midis tjerash përmendi integrimet euroatlantike, por sipas nesh integrimet euroatlantike nënkuptojnë edhe demokraci dhe demokracia nënkupton sundim të së drejtës, dhe me këtë vendim unë besoj se parimet themelore të sundimit të së drejtës nuk janë respektuar aspak, ashtu siç i kuptojmë ne në BE. E dyta, duhet të respektohet plotësisht puna e Prokurorisë Speciale dhe asnjë frikësim nuk do të pranohet.”- deklaroi ambasadori i BE-së, AIVO ORAV.
Orav hodhi poshtë informacionet se ai ka dërguar letër deri tek liderët politik për dalje nga kriza. Ai thotë se komunikimi me partitë politike vazhdon, ku jepen porosi që duhet të përmbushen.
Edhe ambasadori amerikan, Xhes Bejli, doli me qëndrim të ngjashëm. Maqedonia duhet të zgjidh krizën dhe të bëhet pjesë e familjes evropiane, thekson Bejli.
“Siç thashë të martën, jemi në kontakt me zyrtarët politik dhe po punojmë shumë ngushtë me BE-në dhe njerëzit këtu në përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike. Ne duam ta shohim Maqedoninë si një demokraci multietnike me prosperitet, të integruar në familjen euroatlantike. Mendoj se kjo është ajo që shumica e qytetarëve këtu duan të ndodh. E bëjmë këtë si miq dhe do të vazhdojmë angazhimin tonë edhe në ditët dhe javët në vazhdim.”- theksoi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
Në ndërkohë pritet edhe angazhimi i drejtpërdrejtë i Gjermanisë për t’i dhënë shtytje procesit për dalje nga kriza.
Pak ditë më parë, shefi i Diplomacisë gjermane, Valter Shtajnmajer, vendosi të delegojë përfaqësuesin e tij, Johanes Hajndël, i cili do të radhitet krahas ambasadorit të BE-së dhe atij të SHBA-ve.
SHPËTIM NUREDINI
