Maqedoni
“Lagja e trimave”, Demiri: jemi për marsh përkujtimor, jo për protesta
05.05.2016 18:07
“Po, për marsh përkujtimor në nderim të viktimave të rënë gjatë ngjarjeve të majit të vitit të kaluar në “Lagjen e trimave” në Kumanovë...

“Po, për marsh përkujtimor në nderim të viktimave të rënë gjatë ngjarjeve të majit të vitit të kaluar në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, kurse Jo protestave të organizuara nga Këshilli opozitar”.
Kështu shprehet Shaban Demiri, ish këshilltar komunal dhe kryetar i Shtabit për grumbullimin e ndihmave për të dëmtuarit në ngjarjet e majit në “Lagjen e trimave” në Kumanovë.
“Ka gjera të cilat janë më prioritare edhe se partia, kombi është para së gjithash. Unë kam udhëheq me këtë shtab edhe në kohën më të vështirë kur këtu ishte rrezik të qëndroje me këta njerëz. Kurse dikush atëherë ka jetuar shumë komod në atë kohë dhe tash do të përfitojë në tragjedinë e ‘Lagjes së trimave’... Unë vetëm i pyeta ku ishin ata më 9 maj 2015, ku ishin para 2015-ës? Gjithmonë shqiptarët kanë pasur probleme. Vallë tash dikujt iu ndez senzori në këtë kohë, në këtë krizë?”- tha kryetari i Shtabit për grumbullimin e ndihmave për të dëmtuarit në ngjarjet e majit në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, Shaban Demiri.
Shaban Demiri nuk është kundër protestave, por jo të keqpërdoret “Lagja e trimave” për përfitime politike.
“Ne kemi njerëz të burgosur, çdo lëvizje jashtë, dikush i keqpërdor ata dhe mos pyet për ata brenda që janë. Ata janë të burgosur, ne duhet të kujdesemi për ta, e jo të mendojmë vetëm për pikë politike, personale ose grupore apo partiake.”- tha Demiri.
Shaban Demiri gjithashtu tha se interesat e “Lagjes së trimave” janë mbi ato partiake, andaj mos të tentojnë që në kurriz të popullatës së lagjeve të përfitojnë pikë politike, sepse edhe ashtu banorët e këtushëm kanë shumë halle të tjera.
NEXHAT AQIFI
