Diaspora
PDSH përçahet edhe në Shkup e Kumanovë
17.03.2014 17:59
Përçarjet brenda partiake në PDSH-së, të cilat përveç se në degën e Strugës, dita ditës po përhapen edhe nëpër degët tjera...

Përçarjet brenda partiake në PDSH-së, të cilat përveç se në degën e Strugës, dita ditës po përhapen edhe nëpër degët tjera. Sipas analistëve politik, janë vazhdimësi e pakënaqësive që ekzistojnë një kohë të gjatë. Pas pakënaqësive që lindën në degën e kësaj partie në Strugë, porlati “Zhurnal” ka shkruar se përçarje dhe pakënaqësi të degëve të PDSH-së ka edhe në degët në Kumanovë dhe në Shkup.
Sipas analistit politik, Arsim Sinani, situata e krijuar në PDSH është një agoni që nga vdekja e ish-liderit, Arbën Xhaferri.
“Pakënaqësia, e cila vërehet kohët e fundit në radhët e strukturave të degëve të PDSH-së, është vazhdimësi e një pakënaqësie e cila vazhdon një kohë më të gjatë. Përplasjet në Strugë, kanë qenë të pritura për shkak se z. Sela e fitoi Strugën dhe realisht ai duhet të jetë njëshi dhe të vendosë për njerëzit të cilët do të garonin në zgjedhje, për shkak të autoritetit të tij. Them se kjo është një agoni, e cila vazhdon një kohë të gjatë. Që nga vdekja e z. Arbër Xhaferri, PDSH po katandiset në këtë gjendje dhe një nga një ka filluar t’i shfryhen gomat. Në këto zgjedhje presidenciale dhe parlamentare, do të thotë se kjo makinë nga ajo që shihet, do të del prej funksionit”, deklaroi analisti politik, Arsim Sinani.
Profesori universitar, Arsim Sinani, ka theksuar se deklarata e liderit Menduh Thaçi, e thënë në konventën e partisë, se nuk do të tërhiqet nga listat pasi është i drejtë, janë bërë me qëllim për të vendosur në veprim elektoratin.
“Liderët do të duhet tu jepnin elektoratit të vetë, deklarata nxitëse për ta vendosur në veprim anëtarësinë e vetë, në këtë funksion është edhe deklarata e z. Thaçi. Por dëshirat dhe realiteti janë dy gjëra të kundërta. PDSH pranoi që të jetë patericë e VMRO-DPMNE-së në këto zgjedhje presidenciale dhe përgjigjen do ta marrë ditën e zgjedhjeve, do të shohim se si do ta votojë populli dhe elektorati. Personalisht mendoj se pas vdekjes së z. Xhaferri, kjo parti më nuk është ajo parti për të cilën flitej në të kaluarën”, shtoi analisti Sinani.
Pas përplasjeve që ndodhën mes liderit të PDSH-së dhe kryetarit të komunës së Strugës, Ziadin Selës, për listën dhe bartësin e saj në njësinë zgjedhore 5, vetë Ziadin Sela dhe numri më i madh i anëtarësisë së degës së PDSH-së në Strugë, nuk ka marrë pjesë në konventën partiake të mbajtur më 16 mars. Mësojmë se kreu i Strugës, Ziadin Sela, është ende në Turqi, ndërsa heshtja ka mbizotëruar nga të gjithë në këtë komunë.
Mospjesëmarrja e tij në konventën promovuese, dukshëm i ka thelluar ndarësit në mes degës së Strugës dhe selisë qendrore. As nga PDSH nuk komentojnë asgjë, posaçërisht pas fjalimit të Thaçit mbrëmë në konventën e kësaj partie. Por ditë më parë, Sela ka bërë të ditur se nëse kryesia qendrore nuk merr parasysh kërkesat e degës së Strugës, ata nuk do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e zgjedhjeve. (Mefail Ismaili, TVM2)
