Maqedoni
“Revolucioni i larmë”, vazhdojnën protestat, përkujtohet Neshkovski
05.05.2016 21:23
Vazhdojnë protestat e Lëvizjes civile “Protestoj”...

Protestuesit vazhdojnë të shprehin revoltën e tyre kundër vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për faljen kolektive të politikanëve nën hetim nga Prokuroria Speciale Publike.
Marshi protestues filluan serisht para godinës së Prokurorisë Speciale Publike dhe më pas para Kuvendit dhe Qeverisë.
Për dallim nga ditët e tjera ata kësaj rradhe nuk gjuajtën me ngjyrë insitucionet shtetërore por në mënyrë simbolike lanë gjurmat e tyre me ngjyrë të kuqe te sheshi “Maqedonia” për të përkujtuar vrasjen e Martin Neshkovskit.
“Para 5 viteve para dhjetra dëshmitarëve në Shkup u vra Martin Neshkovski dhe ata tentuan të fshehin këtë nga opinioni i gjërë vetëm sepse vrasja e prishi planin që kishin për ditën tjetër. Mjaft më. Edhe atëherë dhe tani e themi stop brutalitetit policor. Ne tashmë dolëm në rrugë. Me vetë faktin që protestojm çdo ditë ne jemi pjesë e ndryshimit të këtij regjimi”, shprehet protestuesi.
Lëvizja civile “Protestoj” tashmë për të katërtën javë kërkon dorheqjen e presidentit Ivanov, anulimin e zgjedhjeve të caktuara për 5 qershor, kyçjen e sektorit civil në bisedimet për zgjidhjen e krizës politike, formimin e një qeverie kalimtare e cila do t’i implementojë reformat urgjente nga raporti i PRIBE-së.
Protestat në rrugë do të vazhdojnë për çdo ditë derisa nuk plotësohen këto kërkesa thonë drejtuesit e Revolucionit të larmë.
Për të dytën natë me radhë, në mesin e protestuesve ishte dhe ish ambasadori i BE-së në Shkup Ervan Fuere.
Protesta të njëjta nga kjo lëvizje u organizuan edhe në shumë qytete të tjera të Maqedonisë.
REXHEP QAMILI
