Maqedoni
Talat Xhaferi padit Bekim Fazliun
17.03.2014 18:03
Talat Xhaferi i BDI-së dhe Bekim Fazliu i PDSH-së, do të takohen në tavolinën e Gjykatës Themelore Shkup II...

Talat Xhaferi i BDI-së dhe Bekim Fazliu i PDSH-së, do të takohen në tavolinën e Gjykatës Themelore Shkup II, si rezultat i padisë për shpifje dhe ofendim, të cilën e dorëzoi sot Xhaferi. Kjo padi vjen pasi dje Fazliu, akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Talat Xhaferi, për aferë korruptive. Ky proces gjyqësor, do t’u dëshmojë qytetarëve se kush nga ne të dy ka të drejtë, thotë Xhaferi.
“Në bazë të akuzave të bëra në adresën time personale, nga ana e Bekim Fazliut dhe PDSh-së, përgjigjen e duhur sot e kanë përmes padisë përgjegjëse për shpifje dhe ofendim që bëjnë. Besoj se procesi gjyqësor para opinionit të gjërë, e në veçanti para qytetarëve shqiptarë, do të verifikon se kush ishte në të drejtë në hapjen e kësaj procedure”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi.
Për të larguar vëmendjen e qytetarëve shqiptarë nga përçarjet e brendshme, të cilat po dridhin PDSH-në, Bekim Fazliu dhe PDSH-ja po drejtojnë shpifje, thotë Xhaferi.
“Unë mund të kuptoj që PDSH-ja ka problemet e saj me funksionimin e saj të brendshëm dhe problemet e degës në Strugë, nëse ka menduar se duhet t’i mbulon me shpifjet që bënë ndaj meje, mendoj që e ka krejtësisht gabim. Ata le të pastrojnë oborrin e tyre paraprakisht, ndërsa procesi gjyqësor dhe organet gjyqësor do të verifikojnë në instancë të fundit se kush ishte në të drejt”, shtoi ministri Xhaferi.
Ditë më parë, Bekim Fazliu akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Talat Xhaferin, se obligohet që çdo muaj t’i paguaj Ermira Mehmetit 500 euro, ndërsa sot kjo listë e PDSH-së u zgjerua edhe me një emër tjetër, atë të Vllado Popovskit, i cili është këshilltar në qytetin e Shkupit. (Sanije Kasami, TVM2)
