Botë

Sulmi ndaj kampit në Siri, OKB: Të hetohet si krim lufte

06.05.2016 10:04

Sulmi ajror ndaj kampit të refugjatëve sirianë, që i kushtoi jetën të paktën 28 personave, mund të konsiderohet si një krim lufte...

Kështu deklaroi për BBC-në Stephen O'Brien, shefi i çështjeve humanitare në OKB, ndërsa bëri thirrje për një hetim të plotë për sulmin në kampin Kamouna, në provincën e Idlibit.
 
Raporte të ndryshme thonë se sulmi ajror në këtë zonë që kontrollohet nga rebelët u krye nga avionë luftarakë rusë apo sirianë, por kjo s'është konfirmuar. Sulmi i së enjtes u bë vetëm një ditë pasi u konfirmua zgjerimi i armëpushimit, duke treguar se fjalët mbeten të tilla dhe se në terren situata është plotësisht e ndryshme.
 
"Dyshimi bie fillimisht mbi qeverinë siriane dhe ne duhet të sigurohemi se, kushdo qofshin fajtorët, duhet të dalin para drejtësisë për këtë akt të tmerrshëm. Mos kini asnjë dyshim se akte të tilla, pavarësisht ku ndodhin dhe kush i kryen, nuk do të harrohen dhe përgjegjësitë do të ndëshkohen."- thonë nga OKB. 
 
Ndaj sulmit reaguan edhe zyrtarë të shumtë ndërkombëtarë, të cilët thanë se është e paimagjinueshme se si mund të sulmohet një kamp refugjatësh. Mjaft i ashpër ishte edhe ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond, i cili fajësoi drejtpërdrejtë Qeverinë siriane duke thënë se sulmi tregon se regjimi i Asadit nuk dëshiron armëpushim apo paqe dhe kjo është më se e qartë. 
 
Në shkurt, një armëpushim i negociuar nga ShBA dhe Rusia hyri në fuqi në Siri, por shumë shpejt luftimet rinisën, sidomos në qytetin e Alepos, ku vetëm gjatë dy javëve të fundit mbi 300 persona janë vrarë. 
 
OKB paralajmëroi më herët se dështimi i armëpushimit do të përkthehet në katastrofë të jashtëzakonshme dhe mund të shtyjë mbi 400 mijë refugjatë të dëshpëruar drejt kufirit turk.
 
GAZMEND KURTISHI