BDI dhe PDSh nuk i dorëzuan listat për KZK, VMRO mbeti vetëm, zgjedhjet në prag të anulimit
Në mesnatë skadoi afati ku partitë politike duhej të dorëzonin listat e anëtarëve të tyre për këshillat zgjedhorë komunalë...

KShZ është njoftuar nga Këshillat komunal se VMRO është e vetmja parti e cila ka dorëzuar listën, ndërkohë që as PDSh dhe as BDI nuk i kanë dorëzuar listat me kandidatët e tyre në Këshillat komunalë zgjedhorë.
Deri në skadimin e afatit mbrëmjen e djeshme, edhe pse dihej, por zyrtarisht, përveç BDI-së dhe PDSh-së, as Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nuk ka dorëzuar listë me kandidatë për Këshillat komunalë zgjedhorë. Nëse partitë politike nuk dorëzojnë listë për Këshilla zgjedhorë, atëherë anëtarët plotësohen nga radhët e administratës.
Por, kjo procedurë tashmë bie në plan të dytë, sepse tre nga katër partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, të cilat nuk dorëzuan lista me kandidatë për Këshillat zgjedhorë komunalë, treguan qartë se kësaj radhe nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit.
Me këtë akt edhe afati i fundit për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë, e cila duhet të dorëzohet deri më 11 maj, tashmë mbetet e parëndësishme dhe mund të figurojë vetëm si datë në KShZ, por jo dhe në planet e BDI-së, PDSh-së dhe LSDM-së.
