Botë
Boris Johnson, largimi pas dy mandatesh dhe ambiciet për Kryeministër
06.05.2016 12:33
Boris Johnson ka drejtuar për dy mandate Bashkinë e Londrës, mes kritikave se Bashkinë e ka përdorur për të forcuar pozitat dhe figurën e tij....

Johnson ka vënë në rrezik karrierën e tij politike duke dalë kundër kryeministrit Cameron në debatin brexit, por karta e fundit që do ti plotësonte ambiciet e tij për Kryeministër është referendumi i 23 qershorit.
Për më shumë detaje ndiqni një profil të përgatitur për të.
Boris Johnson, kreu në largim i Bashkisë së Londrës, mori drejtimin e qytetit me prirje të majtë në vitin 2008, duke treguar se kishte kaq popullaritet sa të përmbuste linjat e vjetra dhe të sfidonte hapur laburistët.
I rizgjedhur për një mandat të dytë katër vjeçar në 2012, Johnson përdori Bashkinë si një platformë për të shtrirë pikëpamjet e tij mbi tema të ndryshme përtej kompetencave si Kryetar Bashkie, pa kursyer edhe Bashkimin Europian dhe për të fuqizuar figurën e tij veçanërisht gjatë lojërave olimpike gjatë 2012.
Sipas kritikëve, Johnson i ka mëshuar më shumë stilit ose formës sesa substancës, duke i dedikuar shumë pak kohë politikave apo detyrës së tij Kryetar Bashkie dhe duke i përkushtuar shumë kohë dhe impenjim interesave të tjera personale siç është artikulli i tij i rregullt dhe i shumëpaguar në të përditshmen britanike “Telegraf” apo edhe librit të tij mbi Winston Churchill.
I zgjedhur për herë të parë si anëtar i konservatorëve në parlament në vitin 2001, Johnson u largua nga funksioni i tij parlamentar në vitin 2008 kur u zgjodh Kryebashkiak, por u rizgjodh në Dhomën e ulët të Parlamentit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, një lëvizje që shihet si një hap i nevojshëm drejt një përpjekje për të zëvendësuar David Cameron si Kryeministër.
Por Cameron udhëhoqi konservatorët në një fitore të papritur në zgjedhjet e fundit, duke forcuar pozitën e tij qoftë si udhëheqës i Partisë Konservatore, qoftë si Kryeministër, duke frenuar ambiciet e Boris.
Në muajin shkurt Johnson vendosi në rrezik karrierën e tij politike, duke dalë hapur edhe me fushatë kundër kryeministrit Cameron në debatin e brexit.
Nëse britanikët votojnë pro daljes nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 qershorit, kjo do të ndihmonte shumë Johnson të fitonte betejën me Cameron.
