Maqedoni
BDI denoncon votuesit fiktiv të Pustecit
18.03.2014 18:25
Bashkimi Demokratik për Integrim, ka zbuluar një skandal rreth votuesve fiktiv të Pustecit. Një skandal të tillë e publikoi sot shefi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Abdylaqim Ademi...

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka zbuluar një skandal rreth votuesve fiktiv të Pustecit. Një skandal të tillë e publikoi sot shefi i Shtabit Zgjedhor të BDI-së, Abdylaqim Ademi, i cili tha se një numër prej 453 votuesve fiktiv nga Pusteci i Shqipërisë, figurojnë në listën zgjedhore, për të votuar për deputetin e Evropës. Ai tha se BDI, për një çështje të tillë, ka siguruar fakte dhe të njëjtin do ta ankimojë në KSHZ.
“Në komunën Qendër, 105 qytetarë nga Shqipëria, janë paraqitur për të votuar në Tiranë, por që janë me adresë banimi të njëjtë në komunën Qendër të Shkupit. Në Komunën e Kërçovës, gjithsej 113 qytetarë nga Shqipëria, që janë paraqitur për të votuar në Tiranë, janë me adresë banimi të njëjtë në komunën e Kërçovës. Në Komunën e Prespës, gjithsej 235 qytetarë nga Shqipëria, që janë paraqitur për të votuar në Tiranë, por gjithashtu janë me adresë banimi të njëjtë në komunën e Prespës. Ose gjithsej 453 qytetarë, që janë paraqitur për të votuar në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, për ne janë të kontestueshëm”, deklaroi shefi i Shtabit Zgjedhor i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
Abdylaqim Ademi, i bëri thirrje KSHZ-së dhe MPB-së, t’i pastrojnë nga listat zgjedhore këta persona, duke shprehur dyshimin se një çështje të tillë e bënë partia maqedonase në pushtet, e cila në këtë formë të pandershme, dëshiron t’i fitojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
“Duke qenë se ne angazhohemi për zgjedhje të lira dhe demokratike, por ky obligim është edhe për shtetin dhe institucionet që organizojnë zgjedhjet, ftojmë Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe ministrinë e Punëve të Brendshme, që të shqyrtojnë kërkesën tonë dhe të fshijnë këta persona nga regjistri i votuesve, me çka do të krijonin besim në procesin zgjedhor”, shtoi Ademi.
Votuesit fiktiv të Pustecit, për herë të parë në procesin votues në Maqedoni, u shfaqën në zgjedhjet e fundit lokale, ku VMRO-DPMNE nëpërmjet tyre, dëshironte të fitojë në komunën Qendër të Shkupit, por rezultoi pa sukses. (Afrim Tanallari, TVM2)
