Maqedoni
Mbaroi afati për dorëzimin e listave për KZ-të, VMRO-DPMNE mbetet e vetme
06.05.2016 15:41
Mbajtja e zgjedhjeve më pesë qershor po bëhet gjithnjë më e pamundur...

Në mesnatë mbaroi afati kur partitë politike në pushtet dhe opozitë, që kanë fituar më shumë deputetë në zgjedhjet e fundit, duhej të dorëzonin listën e kandidatëve për anëtarë dhe zëvendës në këshillat zgjedhorë. Zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani, njoftoi se vetëm VMRO ka dorëzuar listë për Këshilla zgjedhorë.
Tre partitë e tjera, të cilat kanë fituar më shumë mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk dorëzuan lista brenda afatit, duke konfirmuar kështu qëndrimet e tyre paraprake.
LSDM-ja pati deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje pa zbatimin e plotë të Marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar. Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim së fundmi doli me qëndrim se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse.
Listë me kandidatë për anëtarë dhe zëvendës në Këshillat zgjedhorë nuk ka dorëzuar as PDSh. Edhe partia shqiptare në opozitë konsideron se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike.
Pas krijimit të këtij vakuumi pritet që liderët e katër partive më të mëdha në vend, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, të mblidhen për të kërkuar zgjidhje të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve dhe tejkalimin e krizës në vend, me ndërmjetësim të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Në ndërkohë, KShZ vazhdon të zbatojë kalendarin për kryerjen e veprimeve zgjedhore për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
11 maji është afati i fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Ndryshe, më katër maj ka përfunduar edhe afati për mbledhjen e nënshkrimeve para personave të autorizuar nga KShZ-ja dhe përfaqësitë diplomatike konsulare, për propozim të listës së kandidatëve për deputetë nga grup i zgjedhësve. Më nëntë maj mbaron edhe këqyrja publike në Listën Zgjedhore.
Sipas KShZ-së, në periudhën nga 24 prilli deri më katër maj, kontroll në Listën e zgjedhësve kanë bërë vetëm 3021 votues. Këqyrja publike ka rezultuar me regjistrimin e 20 votuesve të rinj, shlyerjen e 457 votuesve dhe plotësimin e të dhënave për 47 votues të tjerë.
SHPËTIM NUREDINI
