Maqedoni

Orav: Kriza politike është shumë serioze

06.05.2016 16:07

Kriza politike dhe institucionale ka ndikuar edhe në ngecjen e rrugës eurointegruese...

Kështu vlerësuan diplomatë, profesorë dhe analistë në  Ditën e Evropës. Situata politike është përkeqësuar sidomos pas vendimit të presidentit Ivanov për faljen e politikanëve, theksoi euroambasadori, Aivo Orav. Dalja nga kriza, sipas tij, mundësohet me sundimin e ligjit, respektimin e demokracisë dhe lirisë së mediave.
 
“Ne jemi duke u përballur me krizë serioze politike, sepse kemi mungesë të sundimit të ligjit. Kjo gjendje duhet menjëherë të rregullohet dhe nuk ka kohë për t’u humbur. Situata e tillë ka ardhur si rrjedhojë e faljes nga presidenti, mungesa e gjyqësorit të pavarur, kushtet për Prokurorinë Speciale Publike, si dhe kushtet për zgjedhje të lira. Situata para faljes nga presidenti ishte e keqe, por tani është shumë më e keqe.”- deklaroi euroambasadori, Aivo Orav.
 
Zgjidhja e krizës është në duart e politikanëve, si përfaqësues të popullit me ndihmën e diplomatëve ndërkombëtarë, theksoi zëvendëskryeministri, Arbër Ademi.
 
“Vendi është në një krizë në të cilën nuk mund të qëndrojë më gjatë, duhet të  gjendet zgjidhje nga ky labirint në të cilin është futur vendi. Zgjidhjen duhet t’a gjejmë ne si përfaqësues të popullit, por gjithashtu mirëpresim angazhimin e faktorit ndërkombëtar, të ambasadorëve, Bejli dhe Orav, dhe të atyre në cilësi të lehtësuesit për dalje nga kriza.”- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi.
 
Profesori universitar, Blerim Reka, thotë se duhet stabilitet politik për të mos dalë nga kursi euroatlantik.
 
“Një mesazh që dua ta jap në Ditën e Evropës është që nën një: BE-ja t’a rikthejë Ballkanin e harruar për disa vite në agjendën integruese dhe Ballkani perëndimor t’i rikthehet agjendës euroatlantike dhe mos të fantazojë për agjenda tjera, të themi si lindore apo juglindore.”- theksoi profesori universitar, Blerim Reka.
 
Maqedonia duhet sa më shpejt t’i japë fund krizës politike dhe të rikthehet në rrugën eurointegruese, si i vetmin shpëtim, thanë të pranishmit në debatin e organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU