Maqedoni
Zgjedhjet e 5 qershorit, BDI kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse; PDSh: I rëndësishëm procesi zgjedhor, jo data
06.05.2016 17:30
Partitë shqiptare, BDI dhe PDSh, dolën me prononcimet e tyre për zgjedhjet e pesë qershorit, pasi nuk dorëzuan listat e kandidatëve në Këshillat zonal zgjedhorë...

BDI konsideron se mungon zgjidhja gjithëpërfshirëse për nxjerrjen e vendit nga kriza, andaj edhe nuk i ka dorëzuar listat e kandidatëve.
Zëdhënësi i partisë, Bujar Osmani, doli me porosi se zgjidhjet e njëanshme, qofshin edhe zgjedhjet, nuk mund të nxjerrin vendin nga kriza.
“Ne do të punojmë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. BDI nuk mendon se cilado zgjidhje që është e njëanshme, qofshin edhe zgjedhjet, nuk do të na nxjerrin vendin nga kjo krizë. Ashtu që pse të angazhohet BDI për një proces i cili nuk na nxjerr nga kriza. BDI është e përkushtuar t’a nxjerrë vendin dhe qytetarët nga kjo krizë.”- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Nga PDSh thonë se mbeten në qëndrimet e mëparshme.
“Për PDSh-në nuk është me rëndësi data, por procesi kredibil i zgjedhjeve, që sipas tyre do të ishte i besueshëm edhe për faktorin ndërkombëtar.”- thonë nga partia e Thaçit.
Nga LSDM kanë ngrirë prononcimet publike. Lideri i partisë, Zoran Zaev, në profilin e tij në facebook vetëm ka shkruar se fjala është fjalë dhe askush nuk ka të drejtën të nënçmojë qytetarët.
Zaev ka ripërsëritur kërkesat e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Ivanov t’i tërheqë të gjitha vendimet e turpshme për abonim, të cilat i solli me porosi të Nikolla Gruevskit, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Të thirret seancë e Kuvendit për t’u tërhequr vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor, pasi nuk janë përmbushur kushtet kyçe për mbajtjen e tyre.”- ka shkruar Zaev.
Partitë shqiptare pohojnë se takimet e liderëve vazhdojnë me synim të gjetjes së zgjidhjes.
“Bisedimet vazhdojnë në forma të ndryshme ndërmjet partive politike relevante dhe komunitetit ndërkombëtar. Forma në të cilën zhvillohen këto bisedime është më pak e rëndësishme. Me rëndësi është se ka bisedime dhe partitë politike të tejkalojnë vetveten dhe të gjejnë një zgjidhje.”- theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
VMRO-DPMNE mbetet e vetmja nga katër partitë që nuk lëviz nga qëndrimi për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor, pasi që, siç thonë, interes i partisë është dalja nga kriza.
MERAL ISMAILI
