Maqedoni

Orav dhe Bejli: jeni në krizë serioze, punoni ta zgjidhni

06.05.2016 17:42

Kriza politike në Maqedoni duhet me urgjencë të zgjidhet, pasi që vendi nuk ka kohë për të humbur...

Kështu vlerësojnë ambasadorët e BE-së dhe ShBA-së, Aivo Orav dhe Xhejs Bejli, të cilët ditëve të fundit dalin me porosi të drejtpërdrejta për katër liderët e katër partive më të mëdha në vend.
 
Sipas ambasadorit të BE-së, Orav, anëtarësimin e vendit në BE nuk e pengon vetëm kontesti për emrin, por edhe shkeljet e të drejtave bazë dhe parimeve demokratike nga ana e pushtetit.
 
Ai gjithashtu tha se liria e mediave është komponent kyç i një shteti demokratik. 
 
“Jemi dëshmitarë të një krize serioze politike, me rrënjë të thella. Jemi dëshmitarë të mosrespektimit të sundimit të së drejtës. Nuk ka kohë për të humbur, gjendja patjetër duhet të përmirësohet. Kjo në veçanti ka të bëjë me vendimin e faljes nga ana e presidentit, si dhe me pavarësinë e gjyqësisë, sigurimin e kushteve për funksionimin e Prokurorisë Speciale Publike dhe zgjedhje të besueshme. BE-ja tërë kohën ka tërhequr vërejtje për lëshimet që duhet eliminuar, siç është vetëcensura, raportimi i pabalancuar dhe mostransparenca në financimin e mediave.”- deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav.
 
Ndërsa për ambasadorin e ShBA-ve, Xhes Bejli, Amerika mbetet e fokusuar të ndihmojë  në zgjidhjen e konfliktit politik në vend. 
 
“ShBA-të dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë në Ballkan, për 20 vite me radhë SHBA-të përkrahin anëtarësimin euroatlantik të Maqedonisë dhe do të vazhdojmë t’a bëjmë këtë. Një pjesë e madhe e programeve tona, siç është USAID-i, ndihmojnë Maqedoninë që të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim. Misionet tona, Delegacioni evropian dhe Ambasada e ShBA-ve po ndihmojnë që të zgjidhet konflikti politik në vend dhe Maqedonia të arrijë standardet e sundimit të së drejtës.”- tha ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Xhes Bejli.
 
Sipas ambasadorëve të BE-së dhe ShBA-së, pikërisht mosrespektimi i sundimit të ligjit dhe drejtësisë ka shkaktuar krizën politike në Maqedoni. 
 
SANIJE DURAKU