“Rebelohet” Turqia: nuk e ndryshojmë Ligjin antiterrorizëm pse do BE
“Ne do të ndjekim rrugën tonë, ju po të doni ndiqni tuajën”...

Kështu i është përgjigjur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, një prej kërkesave të Bashkimit Evropian për të ndryshuar ligjet e vendit euro-aziatik në këmbim të udhëtimit pa viza për qytetarët turq në zonën Schengen.
Erdogan foli për mediat vetëm një ditë pasi kryeministri, Ahmet Davutoglu, i cili ka qenë edhe negociatori kryesor i marrëveshjes me BE-në tha se do të largohej nga posti që mbante pikërisht prej mospërputhjeve të mendimeve me presidentin e vendit.
BE-ja ka bërë të ditur së fundi se dëshiron prej Turqisë të përcaktojë me fjalë më të përqendruara kuptimin e gjerë të fjalës terrorizëm, në mënyrë që t’i përafrohet me standardet e BE-së.
Ky ishte edhe njëri prej pesë kritereve të BE-së që Turqia ende nuk i ka përmbushur në mënyrë që t’i mundësohet lehtësimi i vizave. Megjithatë, Erdogan e ka refuzuar këtë.
“Bashkimi Evropian po na kërkon të ndryshojmë ligjin anti-terror, pikërisht në kohën kur Turqia gjendet nën sulmet e organizatave terroriste të të gjitha kahjeve. Si mund t’a kërkojnë këtë në këmbim të heqjes së vizave?”, pyet Erdogan. “Ne do të ndjekim rrugën tonë, ndërsa ju mund të shkoni në rrugën tuaj!”- shtoi presidenti turk.
