Maqedoni

MPB, arreston 4 persona për rrahjen te ura e gurit

18.03.2014 18:38

Dje rreth orës 22, në hyrje të Urës së Gurit në Shkup, është shkaktuar rrahje mes më shumë personave, prej ku S.K. 25 vjeçarar nga fshati Vollkovë

Dje rreth orës 22, në hyrje të Urës së Gurit në Shkup, është shkaktuar rrahje mes më shumë personave, prej ku S.K. 25 vjeçarar nga fshati Vollkovë, është therë me thikë në këmbë dhe i njëjti menjëherë ka përfunduar në spitalin e përgjithshëm të qytetit.
 
Sipas informatave nga MPB-ja, lidhur me rastin në fjalë, deri më tani janë arrestuar 4 persona që kanë marrë pjesë në rrahje dhe kundër tyre do të ngrihet padi penale. Nga MPB-ja informojnë se do t’i marrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e tërësishme të rastit.
 
“Është paraqitur rrahje, në të cilën kanë marrë pjesë më shumë persona. MPB-ja deri më tani ka siguruar 4 prej tyre. Njëri prej tyre është i lënduar dhe ende i jepet ndihmë mjekësore dhe zyrtarisht do të bisedohet edhe me të. Me tre personat e tjerë, që kanë marrë pjesë në rrahje, janë zhvilluar bisedime dhe nuk japin detaje të hollësishme për rrahjen dhe arsyet e të njëjtës. Punohet në dokumentim të plotë dhe zbardhje të rastit, pas çka do të pasojë edhe padi adekuate. Bëhet fjalë për persona të moshës 25 deri më 37 vjeçare”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
 
Njëherit, Kotevski njoftoi se në vendkalimin kufitar Bogorodicë, për shkak të tregtisë së palejuar të narkotikëve, janë arrestuar dy shtetas të Maqedonisë. 
Në veturën e tipit “Mercedes”, me tabela regjistrimi të qytetit të Shkupit, e drejtuar nga njëri prej të arrestuarve, janë gjetur 10 kilogram heroinë të kualitetit të lartë. Në këtë rast, heroina ka qenë e siguruar nga Turqia dhe përmes Greqisë, destinacion të fundit ka pasur Maqedoninë dhe sipas Kotevskit, shitja e heroinës në tregun vendor, do të arrinte çmimin mbi 200 mijë euro.   
 
Sipas informatave të MPB-së, dy të arrestuarit kanë qenë të kyçur  në rrjetin ndërkombëtar për tregti ilegale me lëndë narkotike. Kundër këtyre personave në fjalë,  MPB do të ngrisë padi penale. Me këtë rast, Kotevski informoi se gjatë ditës së djeshme, kanë zbuluar vepër korruptive nga dy persona në moshë prej 50 dhe 51 vjeçare, të punësuar në policinë e pylltarisë. (Florije Kamberi, TVM2)