Maqedoni

Diaspora të votojë, të mos bie pre e spekulimeve

18.03.2014 18:53

Dalja e mërgatës shqiptare për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk bart kurrfarë pasoja negative...

Dalja e mërgatës shqiptare për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk bart kurrfarë pasoja negative, thotë për TVM2 nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Këto  prononcime, numri 2 i KSHZ-së, Jakupi, i bëri  pas spekulimeve të liferuara në diasporë ditë më parë, se  gjoja qytetarët  që do të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të rrezikojnë të humbin shtetësinë e Maqedonisë.
 
Jakupi më tej shton, se vota është e drejtë dhe demokratike e çdo qytetari, për përzgjedhjen e përfaqësuesve në përbërjen e re parlamentare, andaj apelon që qytetarët shqiptarë të diasporës, të informohen saktë vetëm nëpër njësitë konsulare dhe zyrat e KSHZ- së në diasporë. Nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, gjithashtu shton se këto dezinformata dhe gënjeshtra të kulluara,  vijnë  nga qarqe të cilët nuk dëshirojnë që procesi zgjedhor  të ece ashtu siç parashihet me ligj.   
 
“Nuk duhet të krijohet asnjë lloj panike, se do të ketë ndonjë pasojë për këtë çështje që ata do të votojnë. Prandaj unë apeloj, që të gjithë qytetarët, të cilët e plotësojnë këtë kusht, të paraqiten dhe të shfrytëzojnë votën e tyre, por mos të kenë as një pikë dileme se mund të kenë ndonjë pasojë nga çështja administrative teknike. Është normal që në proceset zgjedhore mundet që edhe spekulimet të jenë pjesë e fushatës, për ata të cilët nuk dëshirojnë që të ecë fushata mirë. Prandaj ne jemi këtu si institucion dhe të gjithë ata të cilët do të paraqiten, do t’u mundësohet e drejta e votës”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.
 
Për momentin, numri i diasporës shqiptare, e cila është paraqitur për të votuar, është simbolik dhe nënkryetari i KSHZ-së pret që deri më 30 mars, të gjithë të paraqiten për ta shfrytëzuar të drejtën e votës.  
“Deri tash kemi numër simbolik  të paraqitjes së tyre, me siguri është në përgatitjen e sipër. Deri tani sa kam unë informacione, janë rreth 150 fletëparaqitje që janë dorëzuar në njësinë nr. 7, në njësinë nr. 8, janë diku 50 paraqitje dhe në njësinë nr. 9 vetëm dy paraqitje, por këto janë simbolike, pasi që tani fillon fushata dhe me siguri ata do të paraqiten dhe ne presim”, shtoi Jakupi.
 
Shifra e saktë e shtetasve të Maqedonisë, që jetojnë në shtetet e huaja, të cilët duhet të paraqiten për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të dihet pas 30 marsit. Pra, deri në datën 30 mars, shtetasit tanë mund të paraqiten për të votuar për tre përfaqësuesit e tyre të diasporës. (Sanije Kasami, TVM2)