Cleveland shumë pranë finales në Lindje, Spurs kthen avantazhin ndaj Thunder

07.05.2016 18:02

Cleveland Cavaliers janë një fitore larg finaleve të play off-it në Konferencën e Lindjes, teksa kanë fituar sot 121-108 në fushën e Atlantës, duke udhëhequr 3-0 serinë e gjysmëfinaleve...

Cavaliers janë skuadra e vetme në këtë play off që nuk kanë pësuar asnjë humbje, duke treguar një formë të shkëlqyer.

Sërish gjuajtjet nga distanca ishin çelësi i suksesit për Cleveland, që pas rekordit me 25 tripikësha vendosur takimin e kaluar, këtë herë realizuan 21 të tillë.

Një lojë e mirë kolektive e Cavaliers, ku Frye realizoi 27 pikë, James dhe Irving nga 24 pikë dhe Love 21. Praktikisht, këta të katërt mundën Atlantën, për të cilën nuk mjaftuan 24 pikët e Horford.

Më e bukur dhe me më shumë rivalitet gjysmëfinalja e Konferencës së Lindjes, ku San Antonio fitoi 100-96 në fushën e Oklahomës, duke u hakmarrë për humbjen e fundit. Spurs udhëheqin 2-1 serinë e takimeve, por miqtë vuajtën shumë për të arritur një fitore të merituar.

Një mbrëmje magjike e Leonard, që realizoi 31 pikë, mbështetur edhe nga Aldridge me 24 pikë e Parker me 19. Ndërsa loja e Oklahomës, ashtu si gjithnjë, u bazua te dyshja Durant-Westbrook, ku i pari realizoi 26 pikë dhe i dyti 31, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen. Edhe takimi i katërt do të luhet në fushën e Oklahomës.