Maqedoni

BDI: PDSH të përgjigjet për dosjen “Interpromet”

18.03.2014 18:58

Vazhdojnë përplasjet midis PDSH-së dhe BDI-së rreth akuzave të fundit për skandalin korruptiv...

Vazhdojnë përplasjet midis  PDSH-së dhe BDI-së  rreth akuzave të fundit për skandalin korruptiv. Pas  padisë penale që dje e ngriti Talat  Xhaferi ndaj Bekim Fazliut dhe PDSH-së, ky i fundit sot tha se pranon të shihet në gjyq me ministrin e Mbrojtjes, Talat Xhaferi.  Ai, madje  kërkoi nga Gjykata Themelore e Shkupit, që ky  proces  të fillojë  dhe  të mbarojë para zgjedhjeve parlamentare.
 
“Doli një veprim i qëlluar dhe Talat Xhaferi pranoi me gjithë qejf të shihemi në gjyq dhe apeloj deri te gjykata, që ky proces të fillojë sa më parë dhe të përfundojë deri sa ju jeni në pushtet, para 27 prillit, pasi që kemi edhe shumë çështje tjera që duhet zbardhur”, deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
 
Në mungesë të programit  partiak, ideve dhe në mungesë të personaliteteve me ndikim partiak brenda fushatës zgjedhore parlamentare, PDSH po përpiqet të merret me cinizëm dhe shpifje, reagoi  Bashkimi Demokratik për Integrim. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Abdylaqim Ademi, përkujtoi dosjen e PDSH-së opozitare “Interpromet”.
 
“Kjo flet edhe njëherë për cinizmin flet edhe njëherë se ato nuk kanë me çka të merren dhe shqiptarët presim përgjigje nga Partia Demokratike Shqiptare, veçanërisht presin përgjigje për dy çështje. Pse e legjitimoi procesin zgjedhor për zgjedhjet presidenciale me kandidatin Iljaz Halimi dhe a është kandidati Iljaz Halimi kurban për moshapjen e dosjes së “Interprometit” në Tetovë?. Kjo është përgjigja që presin shqiptarët dhe ne nuk do të merremi më me pres-konferencat e tyre, derisa nuk e marrim këtë përgjigje”, tha Abdylaqim Ademi nga BDI.
 
Ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, dje  dorëzoi  padi penale  për shpifje dhe ofendime në Gjykatën Themelore 2 ndaj Bekim Fazliut. Ai, do të duhet  të japë  sqarime rreth akuzave që i ka drejtuar Xhaferit për aferë korruptive. (Rexhep Qamili, TVM2)