Zjarri nga provinca e Albertës rrezikon të përhapet në Saskatceuanit
Zjarri që ka kapluar prej disa ditësh provincën kanadeze të Albertës, po rritet edhe më shumë dhe rrezikon që të kalojë në provincën fqinje të Saskatceuanit...

Kushte e nxehta dhe të thata të motit po pengojnë ndjeshëm përpjekjet e qindra zjarrfikësve për të ndaluar flakët.
Zjarri gjigant bëri të detyrueshëm disa ditë më parë evakuimin e rreth 100 mijë njerëzve nga qyteti Fort McMurray, i cili është dëmtuar rëndë nga flakët.
Mijëra njerëz të tjerë janë bllokuar në veri të qytetit dhe evakuimi i tyre duket se nuk mund të përfundohet pa mbaruar dita e dielë.
Autoritetet kanadeze thanë se, zjarri është plotësisht jashtë kontrollit, duke dërguar mesazhin e qartë te popullsia, se do të duhet shumë kohë për t’u kthyer në normalitet.
Zjarri aktualisht mbulon një sipërfaqe prej 200 mijë hektarësh, ku përfshihen zona në flakë dhe zona të shkrumbuara totalisht. Autoritetet dhe banorët, prej ditësh janë në pritje të reshjeve të paralajmëruara, që mund të ndihmojnë në përpjekjet kundër zjarrit masiv.
Në qytetin McMurray, lagje të tëra janë shkrumbuar plotësisht dhe do të kalojë shumë kohë, para se mijëra banorët e evakuuar të mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Por edhe përkundër zjarrit të madh nuk janë raportuar viktima apo të plagosur.
